2007-10-05 17:48:28

Gambari Mianmarit: lironi të burgosurit politikë


(05.10.07 RV)Protesta në Mianmar nuk ka përfunduar, ashtu siç mundohet ta paraqesë xhunta ushtarake. Kështu deklarojnë birmanët jashtë vendit, sipas të cilëve duhet bërë ç’është e mundur për të mos harruar lëvizjen që nxorri në sheshe gati 1 milion vetë, duke ushtruar presion për një shndërrim paqësor demokratik të vendit. Sot në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, i dërguari i posaçëm, Ibrahim Gambari raportoi për takimet e tij në vend. Protesta, theksoi ai, është shprehje e pakënaqësisë së përgjithshme e gjendja është e tillë sa mund të ketë pasoja edhe në nivelin ndërkombëtar. Ai kërkoi lirimin e të gjithë të burgosurve politikë në Mianmar dhe maksimumin e fleksibilitetit për një takim të mundshëm ndërmjet xhuntës ushtarake dhe opozitës.
Ndërkaq, 20 krerë shtetesh e qeverish perëndimore i kanë shkruar Kinës, që të përdorë ndikimin e vet mbi ish-Birmaninë për ta detyruar xhuntën ushtarake të fillojë bisedimet me opozitën. Nga ana e saj, India ka kërkuar lirimin e ikonës opozitare, Çmim Nobel për paqen, Aung San Su Kij, e cila prej vitesh mbahet e mbyllur në arrest shtëpiak në kryeqytetin Jangun. Dita e nesërme, 6 tetor është shpallur si ditë në përkrahje të Mianmarit, nga organizata “Christian Solidarity Worldwide” (Krisçën Solidariti Uërlduajd).







All the contents on this site are copyrighted ©.