2007-10-04 18:24:50

U hap sot mbledhja plenare e Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës (KKIE).


(04.10.2007 RV)RealAudioMP3 Takimi i madh i Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore filloi punimet me kremtimin e Meshës Shenjte, kryesuar nga kardinali Gjovani Batista Re, prefekt i Kongregatës për Ipeshkvijtë, në Shenjtëroren e Fatimes, në Portugali. Të shumta, temat në qendër të vëmendjes së asamblesë, që do të kryesohet nga kryetari i ri i ipeshkvijve evropianë, kardinali Peter Erdë, kryeipeshkëv i Estergom-Budapestit e primat i Hungarisë i cili, i intervistuar nga Programi hungarez i Radio Vatikanit, u shpreh kështu për këtë ngjarje të rëndësishme kishtare:
Përgjigje: - Mblidhemi në Fatima pikërisht në 90-vjetorin e dukjeve të Zojës së Bekuar. Prandaj më duket më se i natyrshëm propozimi që t’i lutemi së bashku Zemrës së Zojës së Bekuar e Zemrës së Krishtit për Evropën, për t’ua besuar Evropën. Por në rendin e ditës janë edhe disa probleme të tjera, rreth të cilave do të shkëmbejmë mendime. Një nga pikat më të rëndësishme, është ajo e situatës së institucionit të martesës në Evropë. Kjo temë do të diskutohet në disa këndvështrime, sepse tashmë në Evropë janë realitet martesat e përziera, pra familjet e përziera. Mbi këtë realitet të ri do të sjellin përvojën e tyre disa vende, posaçërisht ato të jug-lindjes së Evropës. Një problem tjetër është ai i martesës dhe i familjes në Bashkimin Evropian. Para se të fillojmë diskutimet mbi këtë temë, do të dëgjojmë fjalën e imzot Andre Dypyi, nunc apostolik pranë Bashkimit Evropian, ndërsa për temën e veprimtarisë baritore të Kishës me familjen, fjalën e hyrjes do ta mbajë kardinali Zhan-Pierr Rishar. Pastaj të gjithë pjesëmarrësit do të flasin për gjendjen e martesës në vendet e tyre.







All the contents on this site are copyrighted ©.