2007-10-04 18:24:06

Benedikti XVI ambasadorit të ri italian pranë Selisë së Shenjtë: “Kisha nuk punon për pushtet, por vetëm për t’i shërbyer njeriut, duke u frymëzuar nga shembulli i Jezusit.


(04.10.2007 RV)Kisha nuk kërkon privilegje. E vetmja gjë që kërkon, është t’i krijohen kushtet e nevojshme për ta kryer lirisht misionin e saj, për të mirën e të gjithë italianëve: këtë theksoi sot paradite Benedikti XVI duke pritur në audiencë ambasadorin e ri të Italisë pranë Selisë së Shenjtë, Antonio Xanardi Landin, për paraqitjen e letrave kredenciale. Papa vuri theksin mbi bashkëpunimin e frytshëm ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Shtetit italian, për të mirën e mbarë bashkësisë kombëtare. Më pas e nxiti Italinë të vijojë impenjimin për paqen, për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në arenën ndërkombëtare, e sidomos, për mbrojtjen e vlerave njerëzore e të krishtera, që përbëjnë pasurinë më të madhe të popullit italian, sepse prej tyre lindi kultura dhe historia e tij civile e fetare. Më pas Papa u ndalua tek roli që luan Kisha në shoqërinë italiane:
“Kisha katolike vijon t’i japë shoqërisë civile, ashtu si në të kaluarën, ndihmën e saj të posaçme, duke nxitur e duke lartësuar gjithçka të mirë, të bukur dhe të vërtetë që e karakterizon këtë shoqëri e duke ndriçuar të gjitha fushat e veprimtarisë njerëzore përmes mjeteve që përkojnë me Ungjillin dhe harmonizohen me të mirën e përgjithshme, sipas ndryshimeve të kohëve e të situatave”.
Më pas, si kujtoi ‘Gaudium et Spes’, Shenjtëria e Tij ripohoi se bashkësia politike dhe Kisha janë të pavarura e autonome, por që të dyja palët, ndonëse në mënyra të ndryshme, i shërbejnë njeriut si individ e si anëtar i shoqërisë. Në Marrëveshjen e 1984-tës, që modifikoi Konkordatin Lateranens – vijoi Papa – ripohohen si pavarësia e sovraniteti i Shtetit, ashtu edhe bashkëpunimi reciprok për zhvillimin e njeriut dhe për të mirën e mbarë shoqërisë.
“Duke vijuar të ecë në këtë rrugë, Kisha nuk ka synime për pushet, nuk kërkon privilegje e as pozita të larta ekonomike e shoqërore. Ka një qëllim të vetëm: t’i shërbejë njeriut, duke u frymëzuar nga fjalët e nga shembulli i Jezu Krishtit, që “e përshkoi vendin duke bërë mirë e duke i shëruar të gjithë” (Vap. 10,38): prandaj Kisha katolike kërkon të vlerësohet në përkim me natyrën e saj të posaçme e të ketë mundësi ta zhvillojë lirisht misionin e saj të veçantë, jo vetëm për të mirën e besimtarëve të saj, por të të gjithë italianëve”.
Kisha - vijoi Papa, duke kujtuar fjalimin e tij mbajtur në Takimin kishtar të Veronës, nuk është e nuk kërkon të jetë faktor politik, në sa kontribuon që shoqëria të ecë në rrugë të drejtë. Më pas uroi të thellohet bashkëpunimi ndërmjet të gjithë shtetasve të Kombit italian, jo vetëm për të ruajtur me kujdesin më të madh trashëgiminë e tij kulturore e shpirtërore, por edhe për të kërkuar rrugë të reja në përballimin me sukses të sfidave të mëdha të epokës post-moderne:
“Ndërmjet tyre – theksoi Papa – po mjaftohem të kujtoj ruajtjen e jetës së njeriut në çdo fazë, mbrojtjen e të gjitha të drejtave të njeriut e të familjes, ndërtimin e një bote solidare, respektin për gjithësinë, dialogun ndërkulturor e ndërfetar”.
Më pas, duke u ndaluar tek roli i Italisë në Botë, Benedikti XVI kujtoi se vitin e ardhshëm do të kremtohet 60-vjetori i Deklaratës të të Drejtave të Njeriut e se ky mund të jetë një rast i përshtatshëm që Italia të japë ndihmesën e saj në arenën ndërkombëtare për një rend të ri, që ka gjithnjë në qendër të vëmendjes respektin për njeriun, për dinjitetin e tij e për të drejtat e tij të patjetërsueshme.
Në ditën kur Italia kremton Pajtorin e vet, Françeskun e Asizit, Benedikti XVI nënvizoi edhe lidhjen e posaçme të saj me pasardhësin e Shën Pjetrit, i cili e ka Selinë e vet pikërisht në trojet e këtij vendi, përmes planit misterioz e providencial të Zotit.
Kujtojmë se ambasadori i ri italian pranë Selisë së Shenjtë, Antonio Xanardi Landi, i lindur në Udine më 1950, i diplomuar në drejtësi, do të vijojë në Vatikan karrierën e tij diplomatike, të nisur më 1978 në Teheran.







All the contents on this site are copyrighted ©.