(03.10.2007 RV)“Laudetur Jesus
Christus” Kjo sigël, që vijon të dëgjohet sa herë hapet stacioni i Radio Vatikanit,
na kujton së pari shërbimin që u bëri radiostacioni ynë katolikëve të izoluar pas
perdes së hekurt, të cilët nuk kishin asnjë mundësi të komunikonin me Selinë Apostolike
e me Kishën universale në periudhën e gjatë të diktaturës komuniste. Në kushtet
e diktaturës e për të njëjtin shërbim, më 3 tetor të vitit 1951, 56 vjet më parë,
lindi programi i gjuhës shqipe pranë Radio Vatikanit. Në se dëshironi të ndiqni rrugën
që përshkoi, të njiheni me ngjarjet kryesore që transmetoi e me personalitetet që
e vizituan e folën nga mikrofoni ynë, mund të hapni faqen tonë të internetit. Në skajin
e djathtë të saj do të lexoni titullin: “55-vjetori i themelimit të programit shqip
pranë Radio Vatikanit”. Është titulli i parë, me të cilin hapëm një faqe të
re në historinë tonë 56 vjeçare: faqen e internetit me adresë: dubël vë, dubël vë,
dubël vë.radiovaticana.org Ishte kjo e reja që na solli viti 2006, ndërsa një vit
më parë, më 10 nëntor 2005, në Radion e Papës ishte për vizitë kryeministri i Republikës
së Shqipërisë, zoti Sali Berisha, i shoqëruar nga një grup politikanësh. Sillnin me
vete Udhërin e Artë ‘Nënë Tereza’, nderimi më i lartë që jep qeveria shqiptare. Iu
dorëzua Radio Vatikanit për meritat e mëdha në kohët e vështira të diktaturës, kur
ishte një nga zërat e pakta që transmetonin të vërtetën e ngjallnin shpresat për të
ardhmen. Duke marrë në dorëzim Urdhërin e lartë, drejtori ynë i përgjithshëm,
Atë Federiko Lombardi, përvijoi edhe programin tonë për të ardhmen: “Se
noi riceviamo… Në se ne marrim një titull nderi për meritat e së kaluarës,
duhet theksuar se e konsiderojmë si impenjim edhe për punën tonë në të ardhmen”. Po
viti 2007? Ç’të re na solli? Në intervistën që i dha Radio Vatikanit dy vjet më
parë, pyetjes “Keni ndërmarrë rrugën e reformave vendimtare dhe të luftës kundër korrupsionit
dhe krimit të organizuar”, kryeministri Berisha iu përgjigj: Urojmë, prandaj,
që në fund të vitit 2007 t’i kumtojmë botës shqiptare të renë e fitores përfundimtare
të vlerave në betejën kundër antivlerave që, siç e dëgjuat, po vijon prej vitesh. Më
27 shtatorin e kaluar, në kremtimin e 50-vjetorit të themelimit të Qendrës sonë Transmetuese
nga ana e Piut XII, kardinali Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit të Shenjtërisë
së Tij, përshëndeti, në emër të Papës, familjen e Radio Vatikanit dhe nënvizoi se
misioni i të gjithë atyre që punojnë në radion papnore, është të përhapin në mbarë
botën fjalën e Atit të Shenjtë. “Laudetur Jesus Christus”, përshëndetja
me të cilën hapen e mbyllen gjithnjë transmetimet e Radio Vatikanit – theksoi Hirësia
e Tij – nuk duhet të jetë thjeshtë një lloj motoje apo sigle, por program pune e jete
për secilin nga ju.E drejtori i përgjithshëm i Radios sonë, Atë Federiko Lombardi,
shpjegoi se Radio Vatikani është mjeti teknik më i fuqishëm për përhapjen e mesazhit
të Kishës në botë, posaçërisht në vendet ku liria fetare kufizohet e ku përdorimi
i teknologjisë moderne është akoma mirazh. "Laudetur Jesus Christus!”.