2007-10-03 18:23:06

Patriku i Moskës në Strasburg: Kosova është "e shenjtë" për serbët


(03.10.07 RV)Një vizitë që përforcon dialogun ekumenik: Patriku i Moskës dhe i të gjithë Rusisë, Aleksej II ndodhej sot në Paris, me ftesën e kryetarit të ipeshkvijve francezë, kardinalit Zhan-Pierr Rishard. Sot pasdite, Patriku shkoi në Katedralen e famshme të Notrë-Dam (Zojës së Bekuar) për një moment lutjeje dhe adhurimi para relikes së Kurorës me gjemba të Jezu Krishtit. Gjatë ditës së djeshme, primati i Kishës ortodokse ruse foli në Asamblenë parlamentare të Këshillit të Evropës në Strasburg.
Denoncimi ndaj relativizmit dhe inkurajimi ndaj dialogut ndërfetar: këto ishin binarët e fjalimit të tij. Patriku denoncoi hendekun ndërmjet moralit dhe daljes së atij që ai e quajti “një brez i ri i të drejtave të njeriut”. Ai theksoi se nuk mund të justifikohen aktet e pamoralshme duke përdorur të drejtat e njeriut. Sipas Patrikut, shoqëria dhe qeveritarët duhet të mbështesin dhe të inkurajojnë një moral të pranueshëm për shumicën e qytetarëve, i cili të frymëzojë e ta bëjë më fisnike jetën e popujve evropianë. Njeriu – nënvizoi Aleksej II para Këshillit të Evropës – duhet të mbetet human e jo një element i kontrollueshëm nga rrjetet elektronike, një objekt eksperimentimesh apo një organizëm gjysëm artificial. Injoranca morale – tha Patriku – krijon një terren të favorshëm për ekstremizmin dhe terrorizmin.
Po në Strasburg, Patriku i Moskës pati mundësinë të bënte një reflektim mbi gjendjen ndërkombëtare dhe u ndal edhe në situatën në Kosovë. Serbët duhet të kenë mundësi të jetojnë në paqe në Kosovë, pasi të përcaktohet statusi – theksoi Aleksej II. Ai sqaroi se Kosova është “e shenjtë” për serbët dhe ofroi ndihmën e Kishës ortodokse ruse si ndërmjetësuese në bisedimet mes palëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.