2007-10-02 17:19:10

Takim historik ndërmjet dy Koreve - Këshilli për të Drejtat e Njeriut kërkon demokraci në Mianmar.


(02.10.07 RV)RealAudioMP3 Takim historik sot në Korenë e Veriut, ndërmjet liderit të Piong-jangut, Kim Jong Il dhe presidentit koreanojugor, Roh Muh Jun. Shtrëngimi i duarve ndërmjet dy krerëve të shtetit shënon fillimin e një takimi 4-ditor, ku marrin pjesë edhe Kina, Rusia dhe Japonia. Qëllimi është të favorizohet procesi i pajtimit dhe i bashkimit ndërmjet dy vendeve. Në delegacionin zyrtar koreanjogur merr pjesë edhe kryetari i Konferencës Ipeshkvnore, imzot Xhon Çang. Shumë vëzhgues ndërkombëtarë mendojnë se do të ishte një sukses i vërtetë arritja e një traktati paqeje ndërmjet dy Koreve, që akoma janë formalisht në luftë. Të dëgjojmë gazetarin italian Stefano Vekia, ekspert për zonën:
Do të ishte sukses edhe fillimi i një procesi që çon drejt traktatit të paqes. Fundi i tensionit të armatosur ndërmjet dy Koreve nuk do të ishte vetëm një sukses për këtë vend, për këtë komb të ndarë më dysh nga një konflikt shkatërrimtar në vitet ’50, por do të ishte një sukses edhe për krejt dipllomacinë ndërkombëtare, sepse Koreja mbetet edhe sot një nyje e fortë tensioni, potencialisht një nga më shkatërrimtaret për planetin.

I dërguari i veçantë i OKB-së në Mianmar, Ibrahim Gambari takoi sot fillimisht kreun e xhuntës ushtarake, gjeneralin Tan Shu e më pas edhe disidenten e njohur e Çmimin Nobel për paqen, Aung San Su Kji, për t’u larguar nga vendi menjëherë pas bisedimeve pa dhënë deklarata. Sot është mbledhur në Gjenevë, Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, i cili duhet të miratojë një rezolutë të nënshkruar nga 47 vendet anëtare, përfshirë edhe Kinën, ku të kërkohet më shumë demokraci për popullin birman. Nga ana tjetër, India, që deri tani ka mbajtur qëndrim neutral, ka kërkuar që të bëhen hetime mbi shtypjen e protestave të këtyre ditëve, por ka deklaruar se është kundër sanksioneve. Sipas qeverisë australiane, gjatë sulmeve të ushtrisë mbi protestuesit janë vrarë 30 vetë dhe jo 10, siç deklaron regjimi, e janë arrestuar nga 1400 deri në 1700 vetë, ndër të cilët 500 murgjër budistë.







All the contents on this site are copyrighted ©.