2007-10-02 18:46:19

Papa përshëndeti punonjësit e Vilave Papnore të Kastelgandolfos. Nesër rikthehet në Vatikan.


(02.10.2007 RV)RealAudioMP3 “Pushime të dobishme e të qeta”, kështu e quajti Benedikti XVI periudhën e pushimeve në Kastel Gandolfo, gjatë ceremonisë së lamtumirës, në praninë e punonjësve të Vilave Papnore të qytezës laciale, që u organizua mbrëmë. Papa i përshëndeti punonjësit në prag të rikthimit të tij në Vatikan, nesër, më 3 tetor, kur do të mbajë edhe audiencën e përgjithshme. “Ju shpreh mirënjohje të thellë për punën tuaj dhe përkushtimin me të cilin e kryeni”. Janë këto fjalët e para, plot mirënjohje, që u tha Papa punonjësve të Vilave Papnore të Kastelgandolfos, në përfundim të pushimeve, që i filloi në mbrëmjen e 27 korrikut, pas periudhës së pushimeve në Lorencago të Kadores, mbi bjeshkët e Dolomiteve. Duke i falënderuar të gjithë ata që i krijuan mundësitë për pushime të qeta e frytdhënëse, Ati i Shenjtë i ftoi ta vijojnë punën e tyre me të njëjtin zell:
“Vijoni të punoni me frymën e fesë, që veprimtaritë tuaja të bëhen dëshmi e dashurisë për Krishtin dhe e besnikërisë ndaj Atij, që i thërret gjithë nxënësit ta ndjekin, duke kryer secili detyrën që i takon në Kishë e në botë”.
Më pas, si i falënderoi edhe një herë, Papa i siguroi se do të lutet për të gjithë, duke u kërkuar edhe të pranishmëve që ta shoqërojnë me lutje.







All the contents on this site are copyrighted ©.