2007-10-02 17:12:16

Fyerjet në parlament prishin marrëveshjen për reformat në Shqipëri


(02.10.07 RV)Për shkak të fyerjeve në parlamentin e Shqipërisë, prishet konsensusi PD-PS për reformat e mëdha në vend. Pas një seance të karakterizuar nga fyerjet e depytetëve ndaj njëri-tjetrit (fyerje të rënda personale që s’kanë të bëjnë me politikën), socialistët braktisën punimet rreth orës 23:40. Pika më kulmore e tensionit u regjistrua në çastin kur u hodhën për diskutim kërkesat e opozitës për ngritjen e tre komisioneve hetimore parlamentare, respektivisht për procedurat e shitjes së Albtelekomit, për procedurat e fillimit të punës për ndërtimin e TEC-it të Vlorës si edhe për hetimin e shpenzimeve të buxhetit të shtetit. Mollë sherri, kërkesa e të djathtëve për të mbuluar me hetime periudhën që fillon nga viti 2001 e më pas, kohë kur socialistët ishin në pushtet, ndërsa të majtët kërkojnë që të bëhen hetime vetëm për dy vitet e fundit.
Kaq, dhe debate për probleme të tjera, kanë mjaftuar që deputetët ta shndërrojnë Kuvendin në mejhanen me të ndyrë të rrugës dhe të fillojnë sharjet me njëri-tjetrin, duke dhënë një spektakël, të cilin fatkeqësisht nuk mund ta etiketojnë as si “të pashoq”, meqenëse nuk është hera e parë. Vlen gjithnjë shprehja “Stambolli digjet…” . E si duket, askujt nga deputetët nuk i shkon ndërmend se janë përfaqësues të zgjedhur të popullit, i cili nuk ua ka deleguar pushtetin që i takon, por thjesht i ka zgjedhur të shtrojnë për zgjidhje në atë forum ligjvënës që është parlamenti, problemet e hallet e veta.







All the contents on this site are copyrighted ©.