2007-10-01 20:12:40

Zgjedhjet në Ukrainë: qeveria do të formohet nga koalicioni filoperëndimor


(01.10.07 RV)Zgjedhjet e parakohshme në Ukrainë duket se po ravijëzojnë gjithnjë e më tepër një fitore personale të Julia Timoshenkos, “të apasionuarës” siç e kanë përshkruar gazetarët gjatë revolucionit portokalli, që vuri në pushtet në vitin 2004 filoperëndimorin Viktor Jushçenko. Por partia e filorusit Viktor Janukoviç, që aktualisht ka postin e kryeministrit në qeveri ka fituar me një diferencë shumë të vogël votash, në momentin kur janë numëruar vetëm 77% e tyre. Pa dyshim, Julia Timoshenko do të krijojë një koalicion me partinë e presidentit aktual, Viktor Jushçenko por gjithsesi, shifrat nuk do ta lejojnë koalicionin të bëjë ligjin në parlament. Partitë më të vogla do të kenë mundësi të manovrojnë me votat dhe t’i shesin ato shumë shtrenjtë, sa herë do të duhen. Ndërkaq, popullsia është mërzitur nga politika. Edhe vetë lideri i revolucionit portokalli, Jushçenko do ta kishte të vështirë sot të grumbullonte në sheshe turma të mëdha njerëzish si në 2004-ën, ku qeveria e formuar prej tij dhe kryeministres së atëhershme Timoshenko e qeverisi vendin me rezultate jo të kënaqshme. OSBE-ja i ka konsideruar zgjedhjet të lira e demokratike, pavarësisht se filorusi Janukoviç ka deklaruar se nuk e njeh fitoren e kundërshtarëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.