2007-09-30 16:23:56

Papa, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, e siguroi popullin e Mianmarit për afërsinë e tij dhe i porositi besimtarët të luten për pajtim të vërtetë në gadishullin korean.


(01.10.2007 RV)RealAudioMP3 Dje në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa shprehu shqetësimin e tij të thellë për situatën në Mianmar, duke siguruar se ndjehet shpirtërisht shumë pranë popullatës së ish-Birmanisë.
Gjithnjë gjatë lutjes mariane, Ati i Shenjtë ripropozoi shembëlltyrën e njeriut të pasur dhe të Lazrit të varfër, duke e komentuar leximin e fragmentit ungjillor në këndvështrim shoqëror. Por, të dëgjojmë, së pari, thirrjen e Atit të Shenjtë për Mianmarin:
Ndjek me shqetësim ngjarjet tepër të rënda të këtyre ditëve në Mianmar dhe dëshiroj t’i shpreh afërsinë time shpirtërore këtij populli të dashur, në çastin e provës së dhimbshme që po kalon. Ndërsa siguroj lutjen time të vazhdueshme solidare dhe e ftoj mbarë Kishën të bëjë të njëjtën gjë, uroj me gjithë zemër të gjindet rrugëzgjidhja paqësore, për të mirën e vendit”.
Papa uroi edhe që në gadishullin korean të konkretizohet, më në fund, procesi i pajtimit. Shpresat e reja për paqe lindin posaçërisht nga takimi i presidentit jugkorean Roh Mu-hyun dhe udhëheqësit veriokorean, Kim Jong-il që do të mbahet nesër në Piongiang, në Kore të Veriut. Tema e këtij takimi të rangut të lartë ka të bëjë me heqjen dorë prej programit bërthamor nga ana e Koresë së Veriut, për të siguruar kështu, si shkëmbim, ndihma ekonomike:
“Ia porosis lutjes suaj edhe situatën në gadishullin korean, ku disa zhvillime të rëndësishme në dialogun ndërmjet dy Koreve, na bëjnë të shpresojmë se përpjekjet për pajtim, në vijim e sipër, mund të konsolidohen në favor të popullit korean dhe në dobi të stabilitetit e të paqes në të gjithë zonën”.
Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI u ndalua tek shembëlltyra e njeriut të pasur dhe Lazrit të varfër. I pasuri – tha Papa – personifikon përdorimin e padrejtë të pasurive nga ana e atyre që i shfrytëzojnë per të siguruar një luks të shfrenuar, duke menduar vetëm si të kënaqin vetveten, pa çarë fare kokën për lypësin që u zgjat dorën tek porta. I varfëri, përkundrazi – shpjegoi Papa - personifikon njeriun për të cilin kujdeset veç Zoti.
“Zoti nuk e harron atë, që e kanë harruar të gjithë; kush s’vlen fare para syve të njerëzve, vlen shumë para syve të Zotit. Rrëfimi tregon se padrejtësia tokësore kthehet përmbys nga drejtësia hyjnore: pas vdekjes, Lazri pranohet ‘në gji të Abrahamit’, dmth në lumturinë e amshuar; ndërsa i pasuri përfundon në mundimet e skëterrës”.
Kjo shembëlltyrë – vërejti Benedikti XVI – mund të lexohet edhe në këndvështrimin shoqëror. Lidhur me këtë, Papa citoi disa fragmente nga Enciklika ‘Popolorum progressio’ e Palit VI: “Është fjala për ndërtimin e një bote, në të cilën çdo njeri… mund të jetojë një jetë plotësisht njerëzore… ku Lazri i varfër mund të ulet në sofrën e të pasurit”. E, në mënyrë të natyrshme, më pas, mendimi i Atit të Shenjtë shkoi tek popullsitë që jetojnë në mjerim:“Si të mos mendojmë, në këtë çast, posaçërisht për vendet e Afrikës subsahariane, të tronditura kohët e fundit nga përmbytje të vazhdueshme? Por nuk mund të harrojmë edhe situata të tjera emergjence humanitare në zona të ndryshme të Planetit, në të cilat ndeshjet për pushtet politik dhe ekonomik e bëjnë edhe më të rëndë realitetin ambiental, tepër të trishtuar edhe pa to”.
Thirrja e Palit VI: “Popujt e uritur interpelojnë në mënyrë dramatike popujt e kamur” – theksoi Ati i Shenjtë - vijon të jetë tepër urgjente edhe sot e kësaj dite. E nuk mund të themi – pohoi Papa – se nuk e dimë rrugën në të cilën duhet ecur: kemi Ligjin e Profetët, na thotë Jezusi në Ungjill. Duhet ta ndajmë së bashku pasurinë e shumtë ose të paktë, që kemi – tha në përfundim Benedikti XVI – dhe të kontribuojmë, duke nisur nga vetvetja, për të përhapur logjikën dhe stilin e solidaritetit të vërtetë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.