Sot Kisha katolike përkujtoi Shën Vinçeslaun, Martir.
(28.09.2007 RV)Vinçeslau, princ i Bohemisë, jetoi në shekullin X. U rrit dhe
u edukua nga e gjyshja, Shën Ludmilla, e cila u mbyt, për shkak të fesë së saj nga
e reja, Drahomira, nëna e Vinçeslaut. Ishte tepër i ri e megjithatë tepër i kulturuar,
kur zuri vendin e t’et në fron, pas një periudhe kundërshtimesh nga ana s’ëmës, që
donte t’ia dorëzonte principatën djalit të dytë, Boleslaut. Ajo vijoi ta nxiste aq
shumë urrejtjen e Boleslaut, sa ta bënte kain. Ndërkaq shenjti, i rritur në oborrin
mbretëror të vendlindjes e edhe vetë mbret, ëndërronte gjithnjë të bëhej murg. E
jetoi si murg, edhe pse i ulur mbi një fron mbretëror. Bëri shumë për ungjillëzimin
e vendit, duke thirrur për këtë qëllim edhe misionarë gjermanë e duke u përpjekur
ta afronte sa më shumë Boheminë me Evropën perëndimore e me kulturën e saj, ndonëse
nuk qenë të pakta vështirësitë që hasi në këtë rrugë. U bë kështu model i guximit
fisnik. Gjatë luftës me një nga dukët e Bohemisë, Vinçeslau i propozoi t’i zgjidhnin
mosmarrëveshjet me duel ndërmjet tyre, në mënyrë që të mos rrezikonin jetën e ushtarëve.
Armiku u pajtua me të e mosmarrëveshja u zgjidh bujarisht. Mosha e re e stili i sundimit
e bënë model për shumicën e nënshtetasve, të cilët nisën ta nderonin e ta përkrahnin,
sepse qe mjeshtër në ushtrimin e drejtësisë. Nën sundimin e tij çdo njeri, sado i
varfër e i pambrojtur të ishte, gjente dikënd që ta dëgjonte e t’ia zgjidhte problemet.
Ishte aq i mirë, sa për t’u dashur fort, por edhe për t’u urryer fort nga njerëzit
e këqij, të cilët i tërbon mirësia. Pikërisht popullariteti i madh bëri të ngrihej
kundra tij – për shkaqe feje e sundimi – një pjesë e fisnikërisë, që ndoqi vëllaun
e dytë, Boleslaun, që vijonte të ëndërronte fronin mbretëror. Më 28 shtator të vitit
929, në sa ishte gjunjëzuar për të thënë uratët e mëngjesit në kështjellën Starà Boleslav,
u sulmua nga të përbetuarit e mbledhur rreth Boleslaut. Iu desh të mbrohej nga shpata
e të vëllaut, të cilin do ta kishte vrarë, po t’ia lejonte shpirti i tij thellësisht
i krishterë. Në sa ia falte jetën e fajin, ra vetë nën teh të shpatës të të përbetuarve.
E ky qe akti i fundit i madhështisë së tij shpirtërore. Trupi i Vinçeslaut, që kishte
filluar menjëherë të nderohej si shenjt, u mbart në Pragë e u varros në Kishën e Shën
Vitos, ndërtuar prej vetë princit. Shembulli i jetës së tij të krishterë, që përfundoi
me martirizim, i dha një shtytje të re ungjillëzimit të nënshtetasve e ai vetë u bë
simbol i shtetit bohem.