Sot Kisha katolike përkujtoi Shën Vinçencin e Paolit.
(27.09.2007 RV)Do të na duhej një kohë e gjatë vetëm për të lexuar listën e
veprave bamirëse që themeloi gjatë jetës së Tij Imzot Vinçenci, siç e thërrisnin besimtarët.
Nuk është e lehtë, prandaj, të flasësh për klerikun francez, lindur në Pui të Gaskonjës
(Francë) më 24 prill 1581, shuguruar meshtar në moshën 19 vjeçare. Menjëherë pas shugurimit,
u burgos nga muhamedanët, të cilët e mbajtën në burg për dy vjet me radhë. Kur u lirua,
kishte arritur ta kthejë në fenë e Krishtit njeriun që e ruante. Djaloshi, i cili
në vendlindje, në Pui, pati ruajtur derrat, u ngjit shumë shpejt në shkallët më të
larta të shoqërisë. I sapodalë nga burgu, u nis për në Paris, ku u caktua kapelan
i mbretëreshës Margerita e Valuasë. Njohu, këtu, së afërmi, kardinalin Rishelië, Mbretërshën
regjente Anën e Austrisë dhe Lugjin XIII, që e deshi pranë në shtratin e vdekjes. Guxoi
t’i fliste ballë për ballë e me zë të lartë për mjerimin e popullit kardinalit Rishelië,
të cilin e kishin frikë të gjithë. “Imzot - i tha – kini mëshirë për ne. Na e jepni
paqen!”. Më pas, në ditët e errta të Frondës, kur Parisi ngriti barrikada e kardinali
Maxarino deshi të përdorte armën e urisë për të mposhtur rebelimin, Vinçenci organizoi
një mensë, në të cilën çdo ditë shuanin urinë më se 2000 vetë. Pastaj i hipi kalit
e vrapoi në Shën Zhermen për t’i thënë Maxarinit: “Imzot, largohuni, flijojeni veten
për të mirën e Francës!” Njeri praktik, i pamposhtur, i thjeshtë si fshatar, i
pajisur me humor të hollë e sidomos me aftësi për të realizuar vepra të mëdha, u thoshte
meshtarëve të Shën Lazrit: “Ta duam Zotin, vëllezërit e mi, por ta duam me shpenzimet
tona, me mundin e krahëve tonë, me djersën e ballit tonë”. Duke e ditur mirë se
të varfërit vuajnë më tepër për shkak të mungesës së rregullit në organizimin e bamirësisë,
sesa për shkak të paaftësisë së njerëzve bamirës, siguroi nga Mbretëresha vendin e
Ministrit të Bamirësisë dhe organizoi ndihmat për të varfërit në shkallë kombëtare.
Thuhet se nëpër duart e tij kalonin çdo ditë më shumë para sesa në duart e ministrit
të financave. Por në bankën e tij të bamirësisë kapitalet nuk shterronin kurrë. Katër
janë institutet kryesore të themeluara prej shenjtit: “Bashkvëllazëria e Zonjave të
Bamirësisë”, “Shërbëtorët e të varfërve”, “Bashkëvëllazëria e Priftërinjve të Misionit
(ose lazaristët, të cilëve u besoi misionin e dyfishtë të jepnin ndihmesën për përgatitjen
e meshtarëve të ardhshëm dhe për organizimin e predikimeve të përshtatshme për fshatarët)
dhe “Bijat e bamirësisë”.Vdiq në Paris më 27 shtator 1660; u shpall shenjt më 1737.