2007-09-28 14:31:05

Njoftim për salikimet e Atë Zef Pllumit OFM.


(28.09.2007 RV)Trupi i Atë Zef Pllumit arriti në orën 14. 30 aeroportin ‘E Lumja Nënë Terezë’ të Rinasit, ku u prit nga përfaqësues të botës politike e kulturore, që kishin dalë për t’i bërë nderimet trupit të françeskanit të ndjerë.
Më pas arkivoli me trupin e Atë Zefit u nis për në Shkodër. Në Sheshin e Parrucës do të dalin për ta pritur përfaqësues të të gjitha shtresave të popullsisë, që do ta përcjellin drejt Kishës Françeskane të Gjuhadolit, ku trupi i pajetë i françeskanit do të qëndrojë deri të dielën në orën 13. 00 për homazhe. Në këtë orë do të nisë procesioni i përcjelljes së trupit nëpër rrugët e Shkodrës që çojnë në katedralen e Shën Shtjefnit, ku në orën 14. 00 do të fillojë kremtimi i Meshës për shpirtin e françeskanit të ndjerë.
Siç kemi njoftuar, Meshën e salikimeve do ta kryesojë kryetari i Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Shqipërisë, kryeipeshkvi Metropolit i Tiranë-Durrësit, Imzot Rrok Mirdita, në bashkëkremtim me kryeipeshkvin metropolit të Shkodër-Pultit, Imzot Angjelo Masafrën, me provincialin e provincës françeskane të Zojës Nunciatë, Atë Gazmend Tinajn dhe me ipeshkvij, meshtarë e rregulltarë të të gjitha dioqezave të Kishës Katolike në Shqipëri. Të pranishëm, përfaqësues të feve të tjera e të botës politike e kulturore.Në përfundim të Meshës, trupi do të mbartet përsëri me procesion, për të pushuar në paqe në kapelën e françeskanëve, pranë Kishës së Zojës Rruzare tek Arra e Madhe.







All the contents on this site are copyrighted ©.