(28.09.2007 RV)Trupi i Atë Zef Pllumit arriti në orën 14. 30 në aeroportin
‘E Lumja Nënë Terezë’ të Rinasit, ku u prit nga përfaqësues të botës politike e kulturore,
që kishin dalë për t’i bërë nderimet françeskanit të ndjerë. Më pas arkivoli me
trupin e Atë Zefit u nis për në Shkodër. Në Sheshin e Parrucës dolën për ta pritur
përfaqësues të të gjitha shtresave të popullsisë, që e përcollën drejt Kishës Françeskane
të Gjuhadolit, ku do të qëndrojë deri të dielën në orën 13. 00 për homazhe. Në këtë
orë do të nisë procesioni i përcjelljes nëpër rrugët e Shkodrës që çojnë në katedralen
e Shën Shtjefnit, ku në orën 14. 00 do të fillojë kremtimi i Meshës për shpirtin e
françeskanit të ndjerë. Siç kemi njoftuar, Meshën e salikimeve do ta kryesojë
kryetari i Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Shqipërisë, kryeipeshkvi Metropolit
i Tiranë-Durrësit, Imzot Rrok Mirdita, në bashkëkremtim me kryeipeshkvin metropolit
të Shkodër-Pultit, Imzot Angjelo Masafrën, me provincialin e provincës françeskane
të Zojës Nunciatë, Atë Gazmend Tinajn dhe me ipeshkvij, meshtarë e rregulltarë të
të gjitha dioqezave të Kishës Katolike në Shqipëri. Të pranishëm, përfaqësues të feve
të tjera e të botës politike e kulturore. Në përfundim të Meshës, trupi do të mbartet
përsëri me procesion, për të pushuar në paqe në kapelën e françeskanëve, pranë Kishës
së Zojës Rruzare tek Arra e Madhe.E në sa radhët e gjata të shkodranëve nderojnë trupin
e vdekur të Fratit në Kishën e Gjuhadolit, zëri i tij, i gjallë në arkivin tonë, nuk
flet aq për vete, sa për të gjithë ata që ‘kanë shpresue kundër çdo shprese, që e
kanë dijtë se feja s’ka me mbarue kurrë e se dyert e ferrit nuk kanë me ngadhënjye
mbi të’, për ata që ruejtën për të nesermen – dmth për të soçmen, bibliotekën, arkivin
e shumë vlera të tjera shpirtnore e kulturore, tue u mundue me ia rikthye françeskanëve
pasuninë e dikurshme, plaçkitë e rrenue prej diktaturës komuniste”. Nderimet që po
i bëhen Atë Zef Pllumit flasin vetë, në sa ne vijojmë të shfletojmë arkivin tonë.
Ta dëgjojmë përsëri zërin e françeskanit