Kardinali Toran në mesazhin për përfundimin e Ramazanit: “Të krishterët dhe myslimanët
të promovojnë së bashku paqen, lirinë fetare dhe të drejtat e njeriut”.
(28.09.2007 RV)“Të krishterët e myslimanët janë të thirrur të promovojnë kulturën
e paqes”: ky është titulli i Mesazhit drejtuar besimtarëve myslimanë nga kardinali
Zhan-Lui Toran, kryetar i Këshillit Papnor për dialogun ndërfetar, me rastin e festës
islamike të Id’ al-Fitr që, në fund të muajit tetor, shënon përfundimin e Ramazanit. “Të
krishterët e myslimanët janë të thirrur të punojnë, me respekt reciprok, për paqen
dhe ardhmërinë më të mirë të mbarë njerëzimit”: këtë uron kardinali Toran në mesazhin
e tij të rastit. Në periudhën e trazuar që po kalojmë – pohon Hirësia e Tij – besimtarët
e feve të ndryshme, si shërbëtorë të Hyjit të gjithëpushtetshëm, e kanë për detyrë
të punojnë në mbrojtje të paqes, duke respektuar si bindjet vetjake e komunitare të
secilit, ashtu edhe lirinë e praktikimit të fesë. Liria e fesë, që nuk kufizohet vetëm
në lirinë e kultit – vijon mesazhi – është një nga aspektet themelore të lirisë së
ndërgjegjes, që i përket çdo njeriu, si gur themeli i të gjitha të drejtave njerëzore.
Pikërisht duke pasur parasysh këtë kërkesë, mund të ndërtohet kultura e paqes dhe
e solidaritetit ndërmjet njerëzve dhe të gjithë mund të impenjohen me vendosmëri për
të ngritur një shoqëri gjithnjë më vëllazërore, duke bërë gjithçka munden për t’iu
kundërvënë, për të denoncuar e për të refuzuar çdo formë e çdo rast të përdorimit
të dhunës, e cila nuk mund të ketë kurrë shkaqe fetare, sepse fyen fytyrën e Hyjit
të pasqyruar tek njeriu. E dimë të gjithë – vijon kardinali Toran - se dhuna, e në
radhë të parë terrorizmi që godet verbërisht e shkakton viktima të panumërta të pafajshme,
është i paaftë t’i zgjidhë konfliktet dhe nuk mund të bëjë tjetër, veçse të vërë në
lëvizje ingranazhin vdekjeprurës të urrejtjes shkatrrimtare në dëm të njeriut e të
shoqërisë. Na takon të gjithëve, si njerëz të fesë - vijon të theksojë kardinali –
të jemi, mbi të gjitha, edukatorë të paqes, të të drejtave të njeriut e të lirisë
që respekton çdo njeri’. E ky theksim tingëllon si ftesë dashamire për thellimin e
dialogut ndërmjet të krishterëve dhe botës islamike, me qëllim që breznitë e ardhshme
të mos formojnë blloqe kulturore ose fetare njëri kundër tjetrit, por të jenë vëllezër
e motra të vërteta, në humanitet. Dialogu – përfundon mesazhi – është mjet që mund
të ndihmojë për të dalë nga spiralja e pafundme e konflikteve dhe e tensioneve që
trondisin shoqëritë tona, duke krijuar kushte që të gjithë popujt të jetojnë në qetësi
e në paqe.