2007-09-27 19:01:58

Mianmar: ushtarët qëllojnë edhe kundër gazetarëve


(27.09.07 RV)Lahet me gjak protesta e murgjërve budistë dhe e mijëra personave kundër regjimit të Mianmarit (ish-Birmanisë). Edhe në manifestimet e sotme regjistrohen viktima e të plagosur. Sipas qeverisë, kanë humbur jetën 9 vetë dhe janë plagosur 11 të tjerë. Ndër viktimat edhe një fotograf japonez. Kontrollet e natës në manastiret budiste, që shkaktuan 4 viktima e 850 arrestime nuk e ndalën protestën, megjithëse qeveria e Jangonit e pati ndaluar manifestimin që dje. Ushtarë kanë kontrolluar edhe një hotel, në përpjekjen për tua mbyllur gojën gazetarëve të huaj, që sipas qeverisë, dizinformojnë publikun jashtë vendit. Ndërkaq, me mesazhet në celular e me bloget në internet po përhapet në të gjithë botën ftesa për t’u veshur nesër me një këmishë a një bluzë të kuqe, në shenjë mbështetjeje ndaj murgjërve budistë. Edhe Kina, vend mjaft afër politikës së Mianmarit, i ka kërkuar xhuntës ushtarake të moderojë reagimin, megjithëse dje pengoi miratimin e një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që parashikonte sanksione kundër xhuntës ushtarake birmane. Kundër rezolutës u shprehën edhe Rusia e Indonezia.







All the contents on this site are copyrighted ©.