2007-09-25 18:01:12

Rriten pa cak çmimet e ushqimeve të përditshme në Shqipëri


(25.09.2007 RV)Në një situatë të vështirë për mungesën e ujit e të dritës, edhe çmimet në Shqipëri po rriten në mënyrë marramendëse, sidomos ato të produkteve bujqësore, pra të ushqimit të përditshëm të popullsisë. Perimet e zarzavatet janë ato që kanë shënuar rritjen më të madhe të çmimit, madje për disa prej tyre janë arritur rekorde historike të pashënuara më parë. Për shembull, brenda dy javësh, janë dyfishuar çmimet e domateve dhe të bamjeve. Sipas institucioneve, kjo rritje çmimesh kushtëzohet nga jashtë, pasi rreth 70% e produkteve importohet. Duke lënë mënjanë polemikën se pse një vend si Shqipëria nga vend eksportues perimesh në të gjithë Ballkanin është kthyer në një vend importues, duhet thënë se ka ekspertë që ngrenë zërin për spekullime nga ana e fermerëve dhe e tregtarëve. Edhe sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, rritja e çmimit ndodh pikërisht në hallkat e para të zinxhirit, që janë ferma dhe tregu i shumicës. Madje, rritja e çmimit është më e madhe për prodhime vendase, se sa për ato që vijnë nga importi.








All the contents on this site are copyrighted ©.