Rajs kërkon pavarësi për Kosovën. Komisioni Evropian nuk prononcohet
(25.09.2007 RV)Sekretarja amerikane e shtetit, Kondolica Rajs kërkon pavarësinë
e Kosovës në një intervistë me agjensinë britanike të lajmeve REUTERS. Vetëm pavarësia
mund të sjellë stabilitet në Ballkan e amerikanët do të bëjnë çmos që të fitojë ky
opcion, ka deklaruar zonja e hekurt amerikane, në prag të takimit dypalësh serbo-kosovar
në Nju Jork, më 28 shtator. Rajs thotë me bindje se asnjëra prej palëve nuk do t’i
marrë seriozisht negociatat, që duhet të përfundojnë më 10 dhjetor. Nëse statusi i
Kosovës nuk u pëlqen, serbët janë të sigurtë për veton e Rusisë në Këshillin e Sigurimit,
ndërsa kosovarët e dinë mirë se SHBA-të do ta njohin pavarësinë e shpallur në mënyrë
të njëanshme. Gjithsesi, Uashingtoni e ka këshilluar Prishtinën të mos e bëjë një
hap të tillë, pasi nuk do të ishte ideja më e mirë e mundshme. Edhe sekretarja amerikane
e shtetit nuk beson se bisedimet serbo-kosovare mund të nxjerrin gjë në dritë. Sipas
saj, statusi i Kosovës do të përcaktohet me impenjimin e amerikanëve dhe evropianëve.
“Këta të fundit - thekson Rajs në intervistë - e dinë se Ballkani është shumë më afër
Evropës se SHBA-ve e nëse duan stabilitet në Ballkan, evropianët duhet të marrin një
vendim të vështirë, por të drejtë”. Pikërisht për këtë vendim flet sot shtypi
ndërkombëtar, duke aluduar se Brukseli mund ta njohë pavarësinë e Kosovës, shpallur
në mënyrë të njëanshme, nëse bisedimet serbo-kosovare përfundojnë pa marrëveshje mes
palëve. E pyetur për këtë, zëdhënësja e komisarit evropian për zgjerimin, Kristina
Nagi nuk u prononcua, duke vënë në dukje se tani për tani po zhvillohen bisedime për
statusin e akoma ka shpresa për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet palëve. Theksoi
gjithashtu, se Komisioni Evropian mbështet punën e përfaqësuesit të vet në Trojkën
e negociatorëve, atë të gjermanit Volfgang Ishinger. Në këtë moment, ndodhen
në Nju Jork, për Asamblenë e 62-të të Përgjithshme të OKB-së, edhe kryeministri i
Shqipërisë Sali Berisha dhe ministri i jashtëm, Lulzim Basha. Të dy kanë zhvilluar
takime me homologët e tyre ndërkombëtarë për të krijuar konsensus mbi çështjen kosovare.