2007-09-25 18:11:11

Në Nju Jork vijojnë punimet e Konferencës mbi klimën. I pranishëm një delegacion i Selisë së Shenjtë.


(25.09.2007)RealAudioMP3 “Ardhmëria është në duart tona: të përballohet sfida e shtruar para krerëve nga ndryshimet klimaterike” - kjo është tema e konferencës që u hap dje në Nju Jork, në Pallatin e Qelqit të Kombeve të Bashkuara. Në këtë takim, që synon të hedhë bazat e një marrëveshjeje të re për shpëtimin e klimës, në sa përfundon afati i skadencës së Protokollit të Kiotos në 2012-tën, marrin pjesë 150 vende, ndërmjet të cilave, dhe një delegacion i Selisë së Shenjtë, i kryesuar nga imzot Piero Parolin, zevendës-sekretar i Selisë së Shenjtë për marrëdhëniet me Shtetet. Por, cili është mesazhi që i përcjell pjesëmarrësve në takim? Ta dëgjojmë vetë përfaqësuesin e Selisë së Shenjtë, imzotin Parolin:
Përgjigje: - Dëshiroj të kujtoj se pati raporte nga ana e komisionit ndërqeveritar mbi ndryshimet klimaterike, që shkaktuan edhe reagime të kundërta, por duhet vlerësuar fakti se shërbyen për të tërhequr vëmendjen botërore mbi problemin e ndryshimeve klimaterike si dhe mbi problemin e degradimit të ambientit. Kombet e Bashkuara po aktivizohen për të dhënë një përgjigje operative e pikërisht për këtë është mbledhur edhe ky takim në Nju Jork: nuk jemi mbledhur për të folur teorikisht, por për të gjetur rrugëzgjidhjet konkrete, për ta zgjidhur këtë problem të vështirë e urgjent për të gjithë.
Pyetje: - Cili është mesazhi i Selisë së Shenjtë?
Përgjigje: - Duke ecur në gjurmët e mendimeve të shprehura kohët e fundit nga Ati i Shenjtë lidhur me këtë temë, do të thosha se mesazhi ynë mund të përmblidhet në disa pika: e para është se çështja e ndryshimeve klimaterike dhe ajo e degradimit ambiental janë probleme me karakter moral. Selia e Shenjtë nuk mund të propozojë rrugëzgjidhje konkrete, por dëshiron të pohojë këtë përmasë themelore, që mund të ndikojë fuqimisht për zgjidhjen e vetë problemeve. Pastaj është edhe një pikë e dytë: ajo e mbrojtjes së ambientit përmes një strategjie të përbashkët të të gjitha shteteve, duke u nisur nga bindja se askush nuk mund t’i zgjidhë i vetëm këto probleme e se duhen lënë mënjanë interesat e veçanta, për të realizuar një aksion të përbashkët. Pika e fundit që dua ta theksoj, është se në këtë fushë, ashtu si edhe në fusha të tjera, duhet kaluar vërtetë nga fjalët në fakte konkrete.
Pyetje: - Takimi i Nju Jorkut është prelud i atij të Balit, që do të mbahet në dhjetorin e ardhshëm, për të nënshkruar marrëveshjen e re ndërkombëtare për shpëtimin e klimës. Ç’ shpresa ngjall etapa e re?
Përgjigje: - Më duket se shpresat ngjallen pikërisht nga vetë ky takim i nivelit të lartë. Natyrisht problemi është shumë i ndërlikuar, por të paktën, me sa shoh, nuk mungon vullneti i mirë për të dhënë përgjigje të shpejta, konkrete, me bindjen se ka të bëjë me të sotmen e të ardhmen e njerëzimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.