2007-09-25 18:42:54

Kardinali Sodano dërgohet nga Benedikti XVI në Kili për kremtimet e 20- vjetorit të vizitës së Gjon Palit II në vend.


(25.09.2007 RV)Do të përkujtohet njëzetvjetori i vizitës apostolike të Gjon Palit II në Kili. Kremtimet do t’i kryesojë kardinali Angjelo Sodano, dekan i Kolegjit Kardinalor, i dërguar i Benediktit XVI.
Papa Vojtila – lexohet në një komunikatë – e vizitoi Kilin nga data 1 deri më 6 prill 1987, duke çuar mesazhin e fesë e të dashurisë në tetë dioqeze të vendit e duke dhënë një kontribut tepër të çmuar në pajtimin kombëtar.
Në kohën kur Papa vizitonte Kilin, kardinali Sodano, që pas pak ditësh do të kryesojë disa nga kremtimet në kryeqytetin kilian e do të vizitojë edhe kryedioqezën veriore të Antofagastës si dhe atë jugore të Puerto Mont, ishte nunc apostolik në Santiago.Në Santiago, pranë Universitetit Papnor Katolik të Kilit, kardinali Sodano do të mbajë edhe një konferencë me temë: “Shkëlqimi i së vërtetës në mësimet e Gjon Palit II dhe të Benediktit XVI”. Së fundi – thuhet në mbyllje të komunikatës – parashikohen disa vizita në veprat e ndihmës shoqërore dhe të bamirësisë, posaçërisht në ‘Hogar de Cristo’, themeluar nga Shën Alberto Hurtado dhe në klinikën “Famija” për të sëmurët e pashërueshëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.