2007-09-24 19:30:42

Sarkozi kërkon sanksione më të ashpra ndaj Iranit e lajme të tjera


(24.09.2007 RV)Presidenti i Francës Nikolas Sarkozì bën thirrje nga faqet e gazetës amerikane “Nju Jork Tajms” për sanksione më të ashpra ndërkombëtare kundër Iranit, në mënyrë që Teherani të ndalë programin e vet bërthamor.
Në një intervistë nga kryeqyteti amerikan, ku ndodhet për Asamblenë e Përgjitshme të OKB-së, Sarkozì deklaron se nuk është koha për një vizitë të ministrit të jashtëm francëz Kushner në Iran. Javës që kaloi Teherani e pati ftuar Kushner të vinte personalisht për të verifikuar fushat e përdorimit të energjisë bërthamore, pas deklaratës së këtij të fundit se për të ndalur programin bërthamor bota duhej të përgatitej për luftën. Ndërkaq, presidenti i Iranit, Mahmud Ahmadinexhad mbërriti në Nju Jork, ndërsa në Universitetin Kolumbia janë paralajmëruar protesta kundër fjalimit të tij. Nesër Ahmadinexhad do t'i drejtohet Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.


Do të shtyhet për në gjysmën e tetorit sesioni parlamentar për zgjedhjen e presidentit të ri të Libanit. Deputetët filosirianë të opozitës konfirmuan se nëse nuk arrihet një kompromis mbi kandidatin do të bojkotojnë punimet e seancës së parë, që do të mblidhet nesër. Presidenti i parlamentit, lideri shiit Nabih Berri ka deklaruar se nëse nuk arrihen dy të tretat e votave, do të thërrasë një sesion tjetër në fund të Ramadanit, më 16 ose 17 tetorin e ardhshëm.


Ndryshimet e klimës në qendër të vëmendjes sot në OKB. U zhvillua në Nju Jork takimi me pjesëmarrjen më të madhe të realizuar deri tani mbi emergjencën klimatike. Mbi 150 vende e mbi 70 krerë shtetesh e qeverish iu përgjigjën thirrjes së sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Mun për të përgatitur bisedimet e ardhshme mbi Konventën kuadër për ndryshimet e klimës, që do të mbahen në Bali nga data 3 deri më 14 dhjetor.







All the contents on this site are copyrighted ©.