2007-09-24 18:57:36

Përfundoi në Budapest Kongresi ndërkombëtar mbi ungjillëzimin e ri. Bilanc i kardinalit Ruini.


(24.09.2007 RV)RealAudioMP3 Budapesti - kryeqytet i ungjillëzimit të ri: u bë nga 16 deri më 22 shtatori i kaluar, si seli e Kongresit ndërkombëtar me temë: “Do t’ju jap ardhmëri e shpresë”. Ishte kongresi i pestë ndërkombëtar i kësaj natyre, ky i Bukureshtit. Për herë të parë një Kongres i tillë u mbajt në Vjenë, në vitin 2003, më pas në Paris në vitin 2004, në Lisbonë më 2005 e në Bruksel më 2006. Sivjet, në takimin hungarez, përfundoi projekti i ungjillëzimit qytetar. Për këtë rast Benedikti XVI emëroi si të dërguarin e vet të posaçëm, kardinalin Kamilo Ruini, që mori pjesë në mbylljen e ‘Misioneve qytetare evropiane”. Të ndjekim bilançin e Hirësisë së Tij, në mikrofonin e radios sonë:
Përgjigje: - Bilanç shumë pozitiv e do të thosha inkurajues: tregoi se Kisha e Budapestit është plot gjallëri e se aspiratat misionare kanë depërtuar thellësisht në klerin e edhe në popullin e Zotit.
Pyetje: - Ç’ ju bëri më shumë përshtypje?
Përgjigje: - Fakti i zhvillimit të këtij misioni në kryeqytetin e një shteti që i përket Evropës ish-komuniste, zonë në të cilën Kisha ka vuajtur shumë e për një kohë të gjatë. Ky akt publik, i cili të enjten e kaluar u kurorëzua me Meshën shenjte nën qiellin e hapur, me pjesëmarrjen e 15 mijë vetëve, nuk mund të mos ngjallë shpresa të mëdha.
Pyetje: - Ç’mesazh u përcollët hungarezëve, si i dërguar i Papës?
Përgjigje: - U përcolla kryesisht mesazhin e vazhdimësisë. Kongresi u zhvillua shumë mirë, por tani duhet që zelli misionar të jetë përmasë e vazhdueshme e veprimtarisë baritore në dioqezën e Budapestit, ashtu edhe në qytetet e tjera.
Pyetje: - Si duhet vepruar për t’i dhënë një hov të ri ungjillëzimit të Evropës?
Përgjigje: - Duhet punuar, sidomos, në nivelin e lutjes e të dëshmisë vetjake, por edhe në nivelin e kulturës, me qëllim që kultura evropiane t’i rizbulojë rrënjët e veta të krishtera.
Pyetje: - Të krijohet përshtypja se të krishterët e Kontinentit të Vjetër ndjehen gjithnjë më të veçuar…
Përgjigje: - Ka, padyshim, forca që përpiqen t’i veçojnë. Por, për hir të Zotit, ka edhe forca që u kundërvihen e që ripohojnë rëndësinë e pranisë së krishterë. Besoj se popujt e Evropës po kuptojnë sa rëndësi ka krishterimi, e jo vetëm për të kaluarën, por edhe për të sotmen, e sidomos për të ardhmen.
Pyetje: - Si mund të rifillojë dialogu ndërmjet rrymave të reja të mendimit e fesë së krishterë?
Përgjigje: - Ky dialog mund të rifillojë - e në fakt po rifillon – pikërisht lidhur me problemet themelore që ka përpara Evropa: problemi i identitetit të saj, por edhe problemi i njeriut: kush është njeriu, i kujt është, është një grimcë e natyrës apo është krijuar sipas shembëlltyrës së Zotit; ka apo s’ka dinjitet të patjetërsueshëm. Besoj se dialogu mbi këto tema tashmë është në vijim.
Pyetje: - Cilat janë shpresat tuaja?
Përgjigje: - Shpresoj se ky hov misionar, që nisi nga Roma – kujtojmë misionin qytetar të Romës në vitet ’96 e ’99, në përgatitje të Jubileut të Madh – e që pastaj u shtri në shumë dioqeza të tjera italiane e tani, në pesë kryeqytete evropiane, të jetë nxitje për mbarë Kishën e Evropës, me qëllim që Ungjillëzimi i ri të mos jetë thjeshtë një parim të cilin e pohojmë, por një realitet që e jetojmë.







All the contents on this site are copyrighted ©.