Papa ipeshkvijve të Ukrainës: “Bashkëpunimi vëllazëror ndërmjet barinjve, inkurajim
e nxitje për besimtarët në thellimin e bashkimit” .
(24.09.2007 RV) Sot paradite Benedikti
XVI priti në audiencë ipeshkvijtë e ritit latin të Ukrainës, të cilët do të vijojnë
deri të shtunën e ardhshme vizitën e tyre ‘ad Limina’. Papa përshëndeti edhe prelatët
greko-katolikë, të pranishëm dhe u propozoi të organizojnë një takim të përvitshëm,
për ta bërë gjithnjë më frytdhënëse veprimtarinë e tyre baritore. E di me sa
zell përpiqeni ta kumtoni e ta dëshmoni Ungjillin në tokën e dashur të Ukrainës –
pohoi Ati i Shenjtë – duke kujtuar, në vijim, edhe vështirësitë jo të pakta që duhet
të përballojnë barinjtë, me vetëdijen se Krishti i prin me dorë të sigurtë grigjës
së vet. Të gjithë barinjtë e Kishës që jetojnë në Ukrainë janë mbledhur simbolikisht
rreth Pasardhësit të Shën Pjetrit - vijoi Benedikti XVI, duke theksuar se takimi i
sotëm nxirrte në dritë bukurinë dhe pasurinë e misterit të Kishës. Pjesëmarrja e ipeshkvijve
grekë-katolikë në këtë takim, së bashku me prelatët e ritit latin – kujtoi Papa –
flet vetë për bashkimin kishtar dhe dëshmon atë dashuri vëllazërore që Jezusi ua la
nxënësve të tij si shenjë dalluese . E më pas shtoi: “Në larminë e riteve të
saj e të traditave të saj historike, Kisha e vetme katolike kumton e dëshmon në të
katër skajet e tokës të njëjtin Jezu Krisht, Fjalë e shëlbimit për çdo njeri”. Prej
këndej, mund të thuhet se besnikëria ndaj Krishtit është sekreti i suksesit të çdo
plani baritor e apostolik: “Ne, barinjve, ashtu si të gjithë besimtarëve, na
kërkohet të jetojmë një familjaritet të thellë e të vijueshëm me Të në lutje e në
dëgjim të heshtur plot bindje të Fjalës së tij: kjo është e vetmja rrugë që duhet
përshkuar për t’u bërë, në çdo mjedis, shenja të dashurisë së tij e mjete të paqes
e të harmonisë së tij”. Në se frymëzohemi nga Shpirti i tij – tha Papa – nuk
është e vështirë ta thellojmë bashkëpunimin e përzemërt ndërmjet ipeshkvijve latinë
e greko-katolikë, për të mirën e mbarë popullit të krishterë. Mundeni, kështu, t’i
koordinoni veprimtaritë tuaja apostolike e baritore – shtoi Ati i Shenjtë – duke
dhënë dëshminë tuaj në këtë bashkim kishtar që është njëkohësisht edhe kusht i domosdoshëm
për dialogun ekumenik me vëllezërit ortodoksë e ata të kishave të tjera. Më pas Benedikti
XVI propozoi të organizohet të paktën një takim vjetor, në të cilin të marrin pjesë
si ipeshkvijtë e ritit latin, ashtu edhe ata të ritit greko-katolik, për ta bërë gjithnjë
më të harmonishme veprimtarinë baritore: “Jam i bindur se bashkëpunimi vëllazëror
ndërmjet barinjve të Kishës do të jetë për të gjithë besimtarët inkurajim e nxitje
në thellimin e bashkimit e të entuziazmit apostolik si dhe favorizim në vijimin me
sukses të dialogut ekumenik”.Kujtojmë se në Ukrainë më se 97% e bashkësive fetare
janë të krishtera e pothuajse gjysma, ortodokse. Shkëputja e Ukrainës nga Bashkimi
Sovjetik në vitin 1991, hapi fazën e ndarjes, si pasojë e së cilës në vend u krijuan
tri Kisha të ndryshme ortodokse. Në Ukrainë janë të pranishme edhe bashkësi të krishtera
protestante, hebraike e myslimane, ndërsa Kisha katolike ruan traditën e saj të dyfishtë.
Gjatë regjimit stalinist, Kisha greko-katolike e ritit bizantin, me 3300 bashkësi
të përhapura kryesisht në pjesën perëndimore të vendit, u ndalua dhe u detyrua të
bashkohet me Kishën ortodokse ruse. Kisha e ritit latin, e cila gjatë viteve të sundimit
të ish-Bashkimit Sovjetik ishte nën kontroll të rreptë shtetëror, pas vitit 1991 rifilloi
përtritjen e thellë. Që nga ky vit – siç deklaroi në një intervistë të kohëve të fundit
sekretari i Konferencës ipeshkvnore ukrainase të ritit latin, imzot Marian Buzhek
– në qendër të vëmendjes së veprimtarisë baritore ka qenë edukimi i vetëdijes fetare,
pa harruar asnjëherë përpjekjen për thellimin e dialogut të frytshëm ndërmjet të krishterëve
ortodoksë e atyre katolikë. Të dyja Kishat, ajo e ritit bizantin e ajo e ritit latin,
rifituan lirinë e plotë pas ngjarjeve të vitit 1989 dhe pavarësisë së Ukrainës.