2007-09-24 18:57:46

Në Meshën e parë si ipeshkëv i Pekinit, imzot Li Shan Ha falënderoi Papën.


(24.09.2007 RV)Dëshiroj të falënderoj Papën: këto janë fjalët e para që shqiptoi imzot Jozef Li Shan dje, para se të fillonte kremtimin e Meshës së parë si ipeshkëv i ri i Pekinit, në Kishën e lashtë të Shëlbuesit, të Ber Tang - në gjuhën kineze. Sipas agjensisë AziaNjuz, ipeshkvi i ri e nisi shërbimin e tij, duke premtuar të vizitojë të gjitha famullitë dhe besimtarët e dioqezës, që numron rreth 50 mijë katolikë. Ipeshkvi, i shuguruar më 21 shtator, gjatë një kremtimi në të cilin morën pjesë përfaqësues të qeverisë dhe të Kishës patriotike, u miratua kohë më parë nga Vatikani, miratim që u konfirmua pak orë pas shugurimit përmes një artikulli botuar në gazetën “L’Osservatore Romano”. Fjalët e falënderimit drejtuar Papës nga ana e prelatit të ri, zhdukën dyshimet që kishin akoma shumë besimtarë të Pekinit lidhur mbi lejën dhënë nga Vatikani për shugurimin e tij. Gjatë homelisë së parë, ipeshkvi i ri komentoi Ungjillin, duke nënvizuar se nuk mund t’i shërbehet njëkohësisht Hyjit e parasë, jetës fetare e jetës shekullare. Më pas ai nënvizoi se është urgjente që të gjithë besimtarët e Pekinit ta jetojnë misionin në gjirin e mjediseve ku jetojnë e punojnë, duke pasur mirë parasysh se shoqëria kineze është në kërkim të vlerave shpirtërore. Ipeshkvi kërkoi që të gjithë së bashku, meshtarë e laikë, të jenë të bashkuar në përpjekjen për ta kryer këtë mision.







All the contents on this site are copyrighted ©.