(24.09.2007 RV)Kanë kaluar 77 vjet nga lindja e Dr. Dom Gaspër Gjinit. Prifti
e studiuesi i madh, lindi më 24 shtator 1930 në Ferizaj, në familjen e madhe të Kolës
e të Dushe Gjinit, që lindën, rritën e edukuan 12 fëmijë. Gaspri u shugurua meshtar
më 2 korrik 1955. Më vonë shkoi në Romë, ku pas studimeve në Universitetin Urbanian,
më 1968 mbrojti doktoratën me temë “Mbi burimet historiko-juridike të Kishës së Shkupit”.
Pjesën më të madhe të jetës ia kushtoi veprimtarisë baritore, në fillim si sekretar
i ipeshkvit, më pas si kancelar e si famullitar në Ferizaj e në Shkup. Vite me radhë
shërbeu si kryetar i Gjyqit kishtar e si bashkëpunëtor i zellshëm i “Dritës”. Gjatë
kësaj kohe përpiloi dhe botoi librin e uratëve “Shûjta shpirtërore”. Mbylli sytë
më 7 mars 1985 në spitalin e Beogradit, në sa ishte në kulmin e pjekurisë shkencore.
Njeri me virtyte të rralla, me kulturë poliedrike, ai na la trashëgim veprën madhore
postume: "Ipeshkvia Shkup -Prizren nëpër shekuj", botuar në Zagreb, më 1992.