2007-09-23 15:43:42

Papa në Lutjen e Engjëllit të Tenzot:fitimi nuk është i pandershëm në vetvete, por duhet të mbizotërojë shpërndarja e drejtë e të mirave materiale


(23.09.2007 RV)RealAudioMP3 Pas vizitës në Veletri, Papa u kthye në Kastel Gandolfo për Lutjen e Engjëllit të Tenzot, ku foli sërish për pasurinë e për paratë, duke sqaruar:
“Paraja nuk është “e pandershme” në vetvete, por më shumë se çdo gjë tjetër mund ta mbyllë njeriun në egoizmin më të verbër”.
Duhet menduar edhe për nevojat e të varfërve, këshilloi Ati i Shenjtë, e nuk duhet harruar se Jezu Krishti nga i pasur u bë i varfër për të na pasuruar me varfërinë e tij, me dashurinë që e shtyu të flijohej për ne. Prandaj, nga mënyra e administrimit të pasurisë mbi këtë tokë do të varet edhe pasuria që secili prej nesh grumbullon për jetën qiellore. Llogjika e fitimit dhe ajo e shpërndarjes së drejtë të të mirave materiale nuk janë në kundërshtim me njëra-tjetrën, vazhdoi Papa, me kusht që raporti ndërmjet tyre të rregullohet mirë. Kisha mendon gjithnjë se shpërndarja e drejtë e të mirave materiale ka përparësi. Emergjenca e urisë dhe ajo ekologjike na tregojnë qartë se ç’ndodh kur mbizotëron llogjika e përfitimit.
Pasi ua besoi besimtarët, qeveritarët dhe ekonomistët Zojës së Bekuar, që t’u mësojë atyre si të administrojnë të mirat materiale të botës me urti ungjillore e solidaritet bujar, Papa përshëndeti të pranishmit. Në mënyrë të veçantë kujtoi pjesëmarrësit e takimit të parë botëror të meshtarëve e rregulltarëve rom, organizuar nga Këshilli Papnor i baritorisë për migrantët dhe endacakët me temë: “Me Krishtin në shërbim të popullit rom”. Kujtoi gjithashtu fushatën kundër analfabetizmit ndërmarrë nga Shoqëria e shën Vinçenc de’ Paolit dhe u uroi studentëve e nxënësve vit të mbarë shkollor.







All the contents on this site are copyrighted ©.