2007-09-22 16:21:23

Benedikti XVI ipeshkvijve të rinj: të jeni njerëz të lutjes


(22.09.2007 RV)RealAudioMP3 Papa Benedikti XVI takoi sot në Kastel Gandolfo ipeshkvijtë e rinj të emëruar kohët e fundit, me në krye prefektin e Kongregatës për Ipeshkvijtë, kardinalin Xhovani Batista Re.
Sot për sot, u tha atyre Ati i Shenjtë, aspektet organizative dhe administrative i kërkojnë shumë kohë ipeshkvit, por “vendi i parë në jetën e një pasardhësi të Apostujve duhet t’i rezervohet Zotit”. Të jeni pra, njerëz të lutjes, i këshilloi Papa Racinger ipeshkvijtë, që javës së kaluar u mblodhën në Romë për të studiuar aspektet e ndryshme pastorale dhe administrative të shërbimit të tyre.
“Në lutjen intime e personale, ipeshkvit, ashtu si të gjithë besimtarëve e edhe më shumë se atyre, i kërkohet të rritet shpirtërisht si bir i Zotit, duke mësuar nga vetë Jezusi besimin, mirëbesimin e besnikërinë, të cilat duhet të jenë sjelljet e tij në marrëdhëniet me Atin Qiellor”.
Benedikti XVI u kërkoi ipeshkvijve të rinj të luten shumë për meshtarët e të jenë gjithnjë gati t’i dëgjojnë, t’i mbështesin e t’i inkurajojnë ata. Ipeshkvit gjithashtu, i takon të nxitë lutjen në shoqërinë ku jeton, duke krijuar për bashkësinë vende e raste lutjesh e takimi me Zotin.







All the contents on this site are copyrighted ©.