2007-09-21 18:23:36

Paqja, drejtësia, jeta, familja, lufta kundër terrorizmit në fjalën e Papës për politikanët me frymëzim të krishterë të Internacionales Demokratike të Qendrës. Të pranishëm nga Shqipëria, Berisha e Topalli


(21.09.2007 RV)RealAudioMP3 Papa Benedikti XVI priti sot në audiencë në Kastel Gandolfo, krerët e Internacionales Demokratike të Qendrës dhe Demokratike të Krishterë, ndërmjet të cilëve edhe kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha dhe kryetaren e parlamentit, Jozefina Topalli.
Të krishterët të jenë “kripa” e veprimtarisë politike në të gjithë botën, me vlerat dhe idealet e tyre në mbrojtje të jetës e të familjes dhe më gjerë, në mbrojtje të të drejtave themelore të çdo njeriu. Kështu u tha atyre Ati i Shenjtë, i cili i nxiti edhe për një luftë pa kompromis kundër terrorizmit dhe fondamentalizmit fetar që ai ushqen, me armët e solidaritetit dhe lirisë së kultit. Të dëgjojmë Papën:
“Në fakt, kur të drejtat e njeriut dhunohen, plagoset vetë dinjiteti i personit; nëse drejtësia lëkundet, paqja është në rrezik. Nga ana tjetër, drejtësia mund ta konsiderojë veten me të vërtetë humane, vetëm nëse vizioni etik dhe moral mbi të cilin bazohet ka në qendër personin dhe dinjitetin e tij të patjetërsueshëm”.
Internacionalja Demokratike e Qendrës përbëhet nga rreth 100 organizata që kanë përfaqësi si në Parlamentin evropian, ashtu edhe në Organizatën e krishterë demokratike të Amerikës. Ajo ka për qëllim nxitjen e krishterimit demokratik dhe të politikave centriste. Gjatë përshëndetjes që i drejtoi Papës Benedikti XVI, kreu aktual i Internacionales, politikani italian Pier Ferdinando Kazini ripohoi se organizmi është i impenjuar në kundërshtimin e politikave që kërcënojnë njeriun. Papa, nga ana e tij, vuri në dukje fushat në të cilat ky impenjim duhet të jetë i fuqishëm, që të pengojë forcimin e ideologjive, që mund të errësojnë ose ngatërrojnë ndërgjegjet e njerëzve duke dhënë një vizion iluzionist të së vërtetës dhe të së mirës:
“Për shembull, në fushën ekonomike ekziston një prirje që identifikon të mirën me përfitimin e kështu e zhduk forcën e ethosit nga brenda, duke kërcënuar edhe vetë përfitimin. Disa mendojnë se arësyeja njerëzore është e paaftë ta kuptojë të vërtetën e si pasojë, edhe të ndjekë një të mirë që i korrespondon dinjitetit të njeriut. Ekzistojnë pastaj, ata që e vlerësojnë si të ligjshme eliminimin e jetës njerëzore në fazën para lindjes ose në atë të perëndimit të jetës”.
Është shqetësuese, vazhdoi Papa, kriza në të cilën është zhytur familja, qelizë e rëndësishme e shoqërisë së themeluar mbi martesën e pandashme ndërmjet një burri dhe një gruaje. “Përvoja – vuri në dukje Ati i Shenjtë – tregon se kur e vërteta mbi njeriun shtrembërohet, kur familja minohet në themelet e saj, vetë paqja kërcënohet, e drejta rrezikon të kompromentohet dhe, si pasojë llogjike, shkohet drejt padrejtësisë e dhunës”.
Por edhe mungesa e lirisë fetare është kërcënim për paqen. Kjo e drejtë, që Benedikti XVI e përkufizoi si “themelore, te domosdoshme, të patjetërsueshme e të padhunueshme, të rrënjosur në dinjitetin e çdo qënieje njerëzore dhe të njohur nga dokumenta të ndryshme ndërkombëtare”, përmban edhe të drejtën për të ndryshuar fe:
“Hapja trashendentale përbën një garanci të pazëvendësueshme për dinjitetin e njeriut, sepse ekzistojnë edhe dëshira e kërkesa të zemrës së çdo personi që vetëm në Zotin gjejnë kuptim e përgjigje. Prandaj, nuk mund të përjashtohet Zoti nga horizonti i njeriut dhe i historisë! Ja përse duhet respektuar dëshira e përbashkët e të gjitha traditave të vërteta fetare për të shfaqur publikisht identitetin e tyre, pa qenë të detyruar ta fshehin ose ta maskojnë”.
Respekti ndaj fesë, vazhdoi Papa, kontribuon edhe në përgënjeshtrimin e akuzës se njerëzit kanë harruar Zotin, me të cilën disa rrjete terroriste përpiqen të justifikojnë kërcënimet e tyre ndaj sigurisë së shoqërive perëndimore:
“Terrorizmi paraqet një fenomen shumë të rëndë, që shpesh arrin të instrumentalizojë Zotin dhe të përçmojë në mënyrë të pajustifikueshme jetën njerëzore. Natyrisht që shoqëria ka të drejtë të mbrohet, por kjo e drejtë, si çdo e drejtë tjetër, duhet ushtruar në respektin e plotë të rregullave morale dhe juridike edhe përsa i përket zgjedhjes së objektivave e të mjeteve… Terrorizmi duhet luftuar me vendosmëri dhe efikasitet, me vetëdijen se nëse e keqja është një mister i përhapur, solidariteti i njerëzve për të mirën është një mister edhe më i pushtetshëm (i përhapur)”.
Benedikti XVI i përshendeti rreth 200 anëtarët e Internacionales Demokratike të Qendrës, duke përsëritur bindjen e tij të thellë se koherenca e të krishterëve është e domosdoshme edhe në jetën politike, në mënyrë që “kripa” e impenjimit apostolik të mos e humbë “shijen” e vet dhe “drita” e idealeve ungjillore të mos errësohet Të krishterët të jenë “kripa” e veprimtarisë politike në të gjithë botën në veprimtarinë e përditshme.








All the contents on this site are copyrighted ©.