2007-09-21 18:36:24

Më 21 shtator, kalendari kishtar përkujton shën Mateun, Apostull e Ungjilltar


(21.9.2007. RV)RealAudioMP3 Mateu, në Ungjillin e tij, flet vetë për thirrjen që i bëri Jezusi: “Jezusi, si shkoi prej andej, pa një njeri që quhej Maté, ndenjur në doganë. Jezusi i tha: “Eja mbas meje!”. Ai u ngrit e shkoi pas Tij”.
Shën Marku shton hollësinë se babai i të thirrurit quhej Alfeo, ndërsa Shën Luka rrëfen se pasi la gjithçka për të ndjekur pas Jezusin, Mateu shtroi një gosti të madhe, në të cilën morën pjesë shumë publikanë, duke ngjallur kështu polemika të ashpra nga ana e farizejve, të cilët u mrekulluan kur panë se Jezusi hante me mëkatarët. Të dy ungjilltarët Mateun e quajnë edhe Levi, ashtu si Simoni quhet edhe Pjetër e Sauli Pal. Emri i parë është Levi – i dyti, Maté, që përdoret pas thirrjes së Jezusit. Pas Rrëshajëve Mateu shkroi Ungjillin drejtuar hebrenjve, për ta plotësuar mungesën e tij, kur u nis për të predikuar Krishtin në vise të tjera. I shkruar në një gjuhë që e kuptonin pak njerëz, teksti i Mateut u bë libër për të gjithë, vetëm pasi u përkthye në gjuhën greke. Ky Ungjill dëshmon, mbi të gjitha, se Jezusi është Mesia që realizoi premtimet e Besëlidhjes së Vjetër dhe përmban pesë kumtime të rëndësishme të Krishtit mbi Mbretërinë e Hyjit. Mateu ishte nga Kafarnao, qëndër e rëndësishme, ku kalonin masa tregtarësh, nga të cilët mblidhte taksat.
E pikërisht ky njeri, kaq i lidhur me botën e parasë, në Ungjillin e tij do të shkruante fjalët e Jezusit: “Lum të varfërit!”; “Kur jep lëmoshë, të mos e dijë e majta çfarë bën e djathta, që lëmosha jote të jetë e fshehtë” dhe “Mos grumbulloni thesare mbi tokë… nuk mund t’i shërbehet njëkohësisht edhe Zotit edhe mamonës… Kërkoni më parë mbretërinë e Zotit, e gjithçka tjetër ka për t’ju dhënë si shtesë”.
Ky është mesazhi që na sjell sot Shën Mateu, Apostull e Ungjilltar, një nga hebrenjtë që u bënë dëshmitarët te ngjalljes së Krishtit dhe kumtues para botës se Jezusi i Nazaretit është Mesia i premtuar nga Shkrimet e Shenjta.
Ka shumë mundësi që shën Mateu të ketë vdekur nga vdekje natyrore, ndonëse burime pak të besueshme flasin edhe për martirizimin e tij.







All the contents on this site are copyrighted ©.