2007-09-21 18:36:58

Kardinal Martino: "jo" katastrofizmit të ambientalizmit ideologjik, "jo" dënimit me vdekje, "po" përdorimit paqësor të energjisë bërthamore.


(21.09.2007 RV)RealAudioMP3 Kisha promovon mbrojtjen e natyrës dhe pohon se njeriu është në qendër të Krijimit. Kështu foli kardinali Renato Rafaele Martino, president i Këshillit Papnor për Drejtësinë e Paqen, gjatë paraqitjes së librit “Burimet ambientale. Një udhëtim në kulturën e “ç’duhet të bëjmë””, shkruar nga ish-ministri italian i Ambientit, Altero Mateoli dhe nga gazetari Folko Kuiliçi. Në fjalën e tij, prelati kundërshtoi me argumenta katër rryma mendimi: bilogjizmin, që i redukton funksionet njerëzore në mekanizma thjesht biologjike; teoritë maltusiane, për të cilat shkaku i degradimit ekologjik është mbipopullimi i botës; natyralizmin panteist që gati bëhet Nju Eixh duke ngatërruar mirëqënien psikologjike me atë shpirtërore dhe, së fundi, ambientalizmin ideologjik që predikon katastrofizmin. Mbi këtë temë të fundit, që ka të bëjë në veçanti me ndryshimet e klimës, të dëgjojmë vetë kardinalin në mikrofonin tonë:
Nga ajo që kemi dëgjuar gjatë paraqitjes së librit, na vjen me të vërtetë ftesa për të mos u shkurajuar, sepse ndryshimet klimatike ndodhin në mënyrë ciklike gjatë shekujve, gjatë epokave e pra, nuk jemi ne ata që i ndalim ose i shkaktojmë. Por natyrisht, ajo që duhet të bëjmë është të vigjëlojmë, të jemi të kujdesshëm dhe ta përdorim ambientin me arësye.
Kisha është në favor të përdorimit të energjisë bërthamore për qëllime civile?
Selia e Shenjtë është anëtare e Agjensisë ndërkombëtare për Energjinë Atomike, që është një agjensi për përdorimin paqësor të energjisë atomike. Kur amerikanët deshën ta themelonin, në vitin 1957, i kërkuan kardinalit Spellman, kryeipeshkvit të atëhershëm të Nju Jorkut, të ndikonte mbi Papën Piu XII që të pranonte të bëhej anëtar themelues i kësaj agjensie, pikërisht për t’i treguar botës së agjensia ishte për përdorimin paqësor të kësaj energjie. Pra, Kisha nuk është kundër përdorimit paqësor të kësaj energjie, që është pasuri për njerëzimin.
Karindal Martino, pyetja e fundit për heqjen e dënimit me vdekje dhe për votimin e këtij vendimi në Kombet e Bashkuara. Dikush pretendon se Kisha nuk po përpiqet edhe aq dhe është si të thuash, e vakët…
Po çfarë e vakët! Kur isha përfaqësues i Selisë së Shenjtë në Kombet e Bashkuara, isha një nga të parët e nga faktorët kryesorë për heqjen e dënimit me vdekje. Vendimi nuk u votua se nuk ishin votat. Uroj që tani t’i kenë bërë mirë llogaritë, përndryshe do të kemi një dështim tjetër. Pra, Selia e Shenjtë ka qenë nga të parat që e ka mbrojtur heqjen e dënimit me vdekje, sepse nuk mund të dënohet një krim me një krim tjetër. Vrasja është krim. Vetëm Zoti mund të na e marrë dhuratën e jetës.







All the contents on this site are copyrighted ©.