2007-09-19 17:43:28

Imzot Tomazi: të mbrohet liria fetare para rritjes së intolerancës në botë.


(19.09.2007 RV)Rritet intoleranca fetare në botë. Ky është alarmi që jep kryeipeshkvi Silvano Maria Tomazi, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë zyrës së OKB-së në Gjenevë, në fjalën e mbajtur në Sesionin VI të Këshillit për të Drejtat e Njeriut, i cili po zhvillon punimet në qytetin zviceran. Por ta dëgjojmë vetë kryeipeshkvin në mikrofonin tonë:
Në këtë moment, në të cilin ekzistojnë debate dhe diskutime të shumta, nganjëherë edhe tensione shumë të forta ndërmjet grupeve fetare ose atyre që perceptohen si të tilla, m’u duk e rëndësishme ta them edhe unë një fjalë mbi ekuilibrin ndërmjet lirisë fetare e respektimit të fesë nga njëra anë, e nga ana tjetër se drejtës për lirinë e shprehjes në shoqërinë demokratike. Prandaj, thelbi i këtij fjalimi ishte t’u bënte njerëzve të kuptonin se në bazë të Deklaratës Universale mbi të Drejtat e Njeriut, nënshkruar në vitin 1948, tekst-kyç për mbështetjen e të drejtave të njeriut në botën e sotme, feja apo liria fetare mund të shërbejë me të vërtetë si urë ndërmjet të drejtave të ndryshme: ndërmjet të drejtave civile, shoqërore, të drejtave ekonomike e kulturore. Prandaj feja duhet parë jo si faktor që e kufizon lirinë apo krijon vështirësi e tensione ndërmjet grupeve, por siç është në të vërtetë në shprehjen e saj më të shëndoshë e më realiste, një sintezë të drejtash e një mbështetje e sigurtë për dinjitetin e njeriut në këtë moment.
A ka rreziqe të reja për lirinë fetare sot?
Në Sesionin VI të Këshillit për të Drejtat e Njeriut doli në pah qartë se intoleranca fetare po rritet në botë. Specialistët e fushës vunë në dukje se ekziston një rritje e intoleracës, e paaftësisë për të jetuar sëbashku. Prandaj, problemi që shtrohet, sfida që duhet të përballojë bota gjithnjë e më pluraliste është si të gjejmë rrugën për të jetuar sëbashku në paqe, në mënyrë konstruktive? Ç’rol luajnë fetë e si mund të jenë faktor dialogu e bashkëjetese paqësore? Ky është problemi që po shqetëson jo vetëm anëtarët e Këshillit për të Drejtat e Njeriut, por krejt shoqërinë, në këtë moment.
Rriten edhe shpifjet kundër fesë…
Po, por duhet të jemi të kujdesshëm – siç nënvizova – sepse nuk mund ta reduktojmë diskutimin mbi fenë vetëm me problemin e intolerancës apo të shpifjes. Në këtë mënyrë ne rrezikojmë ta vendosim kuadrin e përgjithshëm të së drejtës themelore për lirinë fetare vetëm në një kontekst diskriminimi. Kështu ne humbasim me të vërtetë diçka themelore. Natyrisht, nuk duhet të pranojmë që të ofendohen ndjenjat e thella të personave që shprehen nëpërmjet feve e besimeve të ndryshme, por njëkohësisht duhet edhe të garantojmë aspektin pozitiv të së drejtës për lirinë fetare. Duhet pra, që kjo e drejtë themelore të respektohet në shoqëri për të parandaluar shpifjen e ofendimin apo karikaturizimin, të cilat u krijojnë probleme grupeve të ndryshme mazhoritare apo minoritare në vende të ndryshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.