2007-09-19 17:46:30

Ekipi i Unitetit në Londër: Kosova do të jetë e pavarur


(19.09.2007 RV)Përfundoi sot në Londër takimi i Trojkës së negociatorëve për statusin e Kosovës me përfaqësuesit nga Ekipi i Unitetit, me në krye presidentin Fatmir Sejdiu. Kosovarët ngulën këmbë në shpalljen pa kushte të pavarësisë. Në gazetat e sotme, citohej përfaqësuesi evropian, gjermani Volfgang Ishinger, me një deklaratë që ravijëzonte si status përfundimtar të Kosovës jo pavarësinë, por autonominë e zgjeruar brenda Serbisë. Ishinger, sipas presidentit Sejdiu, përgënjeshtroi lajmin duke sqaruar se gazetat i kanë interpretuar keq fjalët e tij.
Delegacioni serb u takua me Trojkën mbrëmë. Duke përsëritur qëndrimin kundër pavarësisë së Kosovës, serbët paraqitën një plan prej 5 pikash diskutimi me delegacionin shqiptar në takimin e ardhshëm të 28 shtatorit në Nju Jork, ku për herë të parë palët do të takohen ballë për ballë. Gjithsesi, zëdhënësi i delegacionit Sllobodan Samarxhiq deklaroi se Beogradi nuk pret shumë nga ai takim.
I të njëjtit mendim, edhe ministri i jashtëm danez Soren Gade, i cili ndodhej sot për vizitë në Kosovë. Sipas tij, edhe nëse arrihet një marrëveshje deri në dhjetor, jo të gjitha palët në Kosovë mund ta pranojnë atë.







All the contents on this site are copyrighted ©.