(18.09.2007 RV)“Mos i merrni seriozisht kërcënimet” e francezëve. Kështu reagoi
presidenti iranian Mahmud Ahmadinexhad para gazetarëve që sot në Teheran kërkonin
një koment mbi deklaratën e fundit të ministrit të jashtëm francez Bernard Kushner,
i cili pohoi të dielën se për të zgjidhur problemin bërthamor iranian, bota duhej
të përgatitej për luftë. Bashkimi Evropian është treguar i kujdesshëm edhe ndaj
propozimeve për sanksione kundër Republikës Islamike, bërë po nga Kushner. Përfaqësuesi
i Lartë për Politikën e jashtme dhe sigurinë, Havier Solana deklaroi se propozimi
akoma nuk është paraqitur në mënyrë formale e pra nuk është në diskutim. Përsa i përket
mundësisë për luftë, Solana reagoi në këtë mënyrë: “Dosja bërthamore iraniane – pohoi
ai në Bruksel për gazetarët – është një çështje shumë e ndjeshme dhe duhet gjetur
mënyra për të shkuar përpara”.