2007-09-17 18:33:10

Mëshira Hyjnore dhe ambienti në Lutjen e Engjëllit të Tenzot të Papës


(17.09.2007 RV)RealAudioMP3 Dashuria e Zotit, kujtimi i Papës Gjon Pali II si apostull i madh i Mëshirës Hyjnore, të Lumët e rinj dhe çështjet ambientale ishin në qendër të fjalëve të Papës Benedikti XVI në Lutjen e Engjëllit të Tenzot, që u mbajt dje në Kastel Gandolfo.
Të tregosh fe të vërtetë do të thotë të hysh në sintoni me Zemrën plot mëshirë e dashuri të Zotit: kështu reflektoi Papa, duke pasur parasysh Ungjillin e Shën Lukës me shembëlltyrën e Djalit Plangprishës. Zoti, që është dashuri, na kërkon t’i duam të gjithë, edhe ata që nuk janë të afërm për ne, edhe armiqtë - kujtoi Benedikti XVI -duke nënvizuar se Ati Qiellor gjithsesi “respekton lirinë e secilit dhe i tërheq të gjithë drejt vetes vetëm me forcën e pathyeshme të besnikërisë së tij”. Kjo është rruga që Jezusi u tregon dishepujve të vet, duke dhënë mësime mjaft konkrete edhe për sjelljen e besimtarëve të sotëm. “Mos gjykoni… mos dënoni… - u thoshte Krishti dishepujve – falni dhe do t’ju falet, jepni e do t’ju jepet… Jini të mëshirshëm, siç është i mëshirshëm Ati juaj”. Për këtë lloj mëshire e dashurie, që vjen nga Zoti, ka nevojë njerëzimi i sotëm. Benedikti XVI kujtoi këtu Papën Gjon Palin II, i cili e kuptoi me kohë e në mënyrë profetike këtë urgjencë, duke u bërë ai vetë apostull i Mëshirës Hyjnore. Gjon Pali II i ka kushtuar një Enciklikë Mëshirës Hyjnore, por Papa kujtoi sidomos qëndrimin e tij pas akteve terroriste të 11 shtatorit 2001:
“Pas ngjarjeve tragjike të 11 shtatorit 2001, që errësuan agimin e mijëvjeçarit të tretë, ai i ftoi të krishterët dhe njerëzit vullnetmirë të besojnë së Mëshira e Zotit është më e fortë se çdo e keqe dhe se vetëm në Kryqin e Krishtit gjendet shpëtimi i botës”.
Pas Lutjes së Engjëllit të Tenzot, Papa kujtoi tre të Lumët që u shpallën dje e pardje nga kardinajtë Bertone e Martins, në emër të Atit të Shenjtë. Ata janë i Lumi atë Stanislao Papçinski, Themelues i Kongregatës së Klerikëve Marianë, i cili u shpall i Lum dje paradite në Poloni, dhe motër Maria Selina e Paraqitjes së Shën Marisë Virgjër, mungare e Urdhërit të dytë të Shën Françeskut, e shpallur e Lume në Francë. Të parin, Benedikti XVI e kujtoi si “një meshtar shembullor në predikim, në formimin e laikëve, atë i të varfërve dhe apostull i lutjes për shpirtrat e të vdekurve”, ndërsa murgeshën si një rregulltare të aftë ta kthejë jetën e saj “të shënuar nga kryqi në shenjë dashurie për Krishtin”. Papa kujtoi më pas atë Bazilio Antonio Maria Morò, Themelues i Kongregatës së Shna Kryqit, i lumnuar të shtunën në Lë Mans.
“Ndërhyrjes së këtyre të Lumëve të rinj ia besoj në mënyrë të veçantë bijtë e tyre shpirtërorë, që të ndjekin me zjarr dëshminë e ndritur të profetëve të Hyjit, Zot i çdo jete”.
Papa nuk mungoi të bëjë edhe një thirrje të fortë me temë ambientaliste, pikërisht në ditën që binte 20-vjetori i të ashtuquajturit “Protokoll i Montrealit” mbi substancat që varfërojnë shtresën e ozonit në atmosferë, duke shkaktuar dëme të mëdha për shëndetin e njeriut edhe për ambientin:
“Gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit, falë një bashkëpunimi shembullor në bashkësinë ndërkombëtare, ndërmjet politikës, shkencës dhe ekonomisë, janë arritur rezultate të rëndësishme, me pasoja pozitive mbi brezat e tanishëm dhe të ardhshëm. Uroj që të intensifikohet bashkëpunimi nga të gjithë, që të promovohet e mira e përbashkët, zhvillimi dhe mbrojtja e Krijimit”.
Gjatë përshëndetjeve në gjuhë të ndryshme, Papa kujtoi sërish shembëlltyrën e Djalit Plangprishës. Në frëngjisht e anglisht i ftoi besimtarët të kenë gjithnjë besim në Zotin e t’i drejtohen Atij sidomos përmes Sakramentit të Rrëfimit e të Pajtimit. Në Gjermanisht, përshëndeti anëtarët e Shoqatës “Ndihmë për Kishën që vuan”, të pranishëm në Kastel Gandolfo për 60-vjetorin e themelimit. Në polonisht, përshëndeti besimtarët e ardhur për shpalljen e të Lumit të ri. Në italisht, iu drejtua agostinianëve që po kryejnë këto ditë Kapitullin e tyre të Përgjithshëm, duke iu siguruar lutjen për mbarëvajtjen e punimeve.







All the contents on this site are copyrighted ©.