Më 13 shtator, kalendari kishtar përkujton Shën Gjon Gojartin, ipeshkëv e doktor i
Kishës, të cilit nesër i bie 1600 vjetori i vdekjes. Këndues i mrekullueshëm i lavdisë
së Zotit.
(13.9.2007 RV) I njohur si një nga etërit e mëdhenj të Kishës së Lindjes, Shën
Gjon Gojarti vdiq më 14 shtator të vitit 407 duke lënë pas shkrime, që ruajnë ende
forcën me të cilën patën tërhequr dikur dëgjuesit. Prandaj në shekullin VI qe thirrur
Gojartë. Shën Gjon Krizostomi, kryeipeshkëv i Kostandinopojës në vitin 398, ia kushtoi
apostullimin e tij nxitjes së besimtarëve për të jetuar ndershmërisht, duke u përpjekur
t’i mundnin ligështitë njerëzore. Fliste shpesh për mëkatin, për të rizgjuar ndjenjën
e përgjegjësisë, dëshirën për t’u ngritur përsëri në këmbë edhe pas rënieve, me forcën
që buron nga Sakramentet. Shtyllat e doktrinës së tij morale janë pendesa, lëmosha
e pajtimi. Ajo që të bën për vete në predikimit e Shën Gjonit, është stili dhe aftësia
e rrallë e gojtarit. Predikimet e tij nuk të lodhin, edhe pse nganjëherë tepër të
gjata, sepse janë plot gjallëri, të lidhura ngushte me jetën konkrete, të pasura me
vlera dhe ide të reja. Gjoni XXIII e zgjodhi Pajtor të Koncilit II të Vatikanit.
Gjon Pali II, në enciklikën “Sollecitudo rei socialis” kujtoi atë që ka shkruar Shenjti,
duke komentuar Ungjillin sipas Mateut për salltanetet e vendeve të kultit: “Kur mendon
për të varfërit, nuk mund të të kënaqin zbukurimet e tepërta të Kishave dhe orenditë
e çmuara të kultit hyjnor; përkundrazi, këto pasuri mund të shiteshin për t’u dhënë
bukë, ujë, veshje e strehë atyre që nuk i kanë”. Po cili është kontributi i posaçëm
teologjik i Gjon Gojartit? Teoria e pranimit, sipas së cilës Hyji vjen tek ne,
sepse ne nuk mund të arrijmë deri tek Ai, është një nga kryeveprat e tij, një ndër
pjesët më të rëndësishme të teologjisë së tij. Ndër homelitë, me përmbajtje të thellë
ekzegjetike, e përqendron predikimin kryesisht tek përdorimi i pasurive në dobi të
shoqërisë. E ç’na mëson Shën Gjon Krizostomi? Na mëson ta shikojmë Kishën si
bashkësi, përmes përdorimit të pasurive në shërbim të të gjithë anëtarëve, përmes
ndershmërisë morale e, sidomos, përmes predikimit dhe vënies në jetë të Dhjetë Urdhërimeve
të Tënzot. Po me ç’sy mund t’i lexojmë sot shkrimet e Shën Gjon Krizostomit? Ashtu
si në rastin e të gjithë etërve të Kishës, leximi i veprave të Shën Gjonit është jashtëzakonisht
i dobishëm dhe i nevojshëm për jetën shpirtërore të të krishterit, por duke pasur
parasysh rrethanat shoqërore e fetare në të cilat jetoi e veproi Shenjti, të cilat
ndryshojnë shumë nga ato të ditëve tona. Përveç kontributit të jashtëzakonshëm
teologjikë, Shën Gjon Gojarti ka lënë edhe një ritë e traditë liturgjike që është
e përhapur në Kishën bizantine e që njihet si liturgjia e Gjon Krizostomit. Kështu
Kisha bizantine e ka nderuar kujtimin e Shenjtit duke ua lënë trashëgim pasardhësëve
shkrimet e tij, duke ia promovuar kultin e duke ia paraqitur besimtarëve si shembull
përshpirtërie, që meriton të ndiqet. Në një farë mënyre Shën Gjon Krizostomi është
bërë pajtor i liturgjisë që mban emrin e tij, që e përdori, ndonëse mendohet se nuk
është krijuesi i saj. Në katekizmat e tij eukaristike, Shën Gjon Krizostomi
një herë shkroi: “Ç’ thua ashtu, o Moisi? Gjaku i një qengji i pastron njerëzit? I
shpëton nga vdekja? E si mundet gjaku i një kafshe t’i pastrojë njerëzit, t’i shpëtojë
njerëzit, të ketë pushtet mbi vdekjen?”. Në të vërtetë – vijon Krizostomi – qengji
mund të ishte vetëm një gjest simbolik; simbolizonte pritjen dhe shpresën në Dikë,
i cili do të ishte në gjendje të bënte atë që nuk mund ta bënte flijimi i qengjit.
“Jezusi i kremtoi Pashkët pa qengj e pa tempull e megjithatë - nuk kremtoi
pa qengj e pa tempull. Ishte ai vetë qengji i pritur, i vërteti, ashtu si e kishte
parafolur Gjon Pagëzuesi në fillim të misionit publik të Jezusit: “Ja Qengji i Hyjit!
Ky ia shlyen mëkatin botës”. Është Ai tempulli i vërtetë, tempulli i gjallë, në të
cilin banon Zoti e në të cilin mund ta takojmë Hyjin e ta adhurojmë. Gjaku i tij,
dashuria e Atij që është njëheresh Bir e Hyj e njeri i vërtetë, njëri nga ne, ky gjak
mund të shpëtojë”. Dashuria e Tij, dashuria me të cilën ai dhurohet vullnetarisht
për ne, është ajo që shëlbon. Gjesti i përmallshëm, në një farë mënyre i pafryt, që
ishte flijimi i qengjit të pafaj e të panjollë, gjeti përgjigje në Atë që u bë për
ne qengj e tempull njëheresh. “Kështu - nënvizoi me forcë Papa Benedikti XVI në
homelinë e të Enjtës së madhet të Pashkëve të këtij viti (2007) – në qendër të Pashkëve
të reja të Jezusit ishte kryqi! Prej tij vinte dhurata e re që na solli Ai. E kështu
Ai mbet përgjithmonë në Eukaristinë Shenjte, në të cilën mund të kremtojmë me apostujt
në rrjedhë kohe, Pashkët e reja. Tani ai na dhurohet ne”.“T’i lutemi Zotit – tha në
përfundim Papa Racinger – që ta kuptojmë gjithnjë më thellë këtë mister të mrekullueshëm,
ta duam gjithnjë më shumë e në të, ta duam gjithë më tepër vetë Krishtin. Të lutemi
që kungimi shenjt të na tërheqë gjithnjë më shumë brënda vetes e të na ndihmojë të
mos e mbajmë jetën tonë për vete, por t’ia dhurojmë Atij, e kështu të veprojmë së
bashku me Të, që njerëzit të gjejnë jetën – jetën e vërtetë, e cila mund të vijë vetëm
nga Ai që është vetë Rruga, e Vërteta, Jeta”.