Më 11 shtator, kalendari Kishtar përkujton Shenjtorët Proto e Gjaçinti, martirë.
(11.09.2007 RV)Tregimi mbi jetën e
tyre ka ngjyrime legjendare. Sipas traditës, ata qenë dy vëllezër eunukë, skllevër
të Eugjenisë, bijë e fisnikut romak, Filipit, prefekt i Aleksandrisë së Egjiptit.
E kthyer në fenë e krishterë, Eugjenia i la dy vëllezërit nën kujdesin e fisnikes
me gjak mbretëror, Bazilies e cila, falë mësimeve të tyre, u kthye edhe ajo në fenë
e krishterë. Të paditur nga i fejuari i kësaj të fundit, u martirizuan të gjithë së
bashku. Nuk dihet sa e vërtetë është kjo histori, por dihet me siguri se ata u martirizuan
për Krishtin. Eshtrat e tyre, të varrosura në varrezën e Basilës, u gjetën në vitin
1845 në dy varre, jo larg njëri-tjetrit, pranë të cilavet ruheshin ende lapidaret
e ngritura nga Papa Damasi për nder të vëllezërve martirë. U vërtetua kështu hamendja
se trupat e Shenjtorëve ruheshin në Romë. Reliket – një grusht eshtrash të djegura,
ngatërruar me fije ari, e vetmja gjë që kishte mbetur nga veshjet, u mbartën me nderim
të thellë në kolegjin e Propaganda Fides. Fakti që dihet pak për jetën e tyre,
nuk i ka penguar besimtarët t’i nderojnë në shekuj Proton e Gjaçintin si martirë.