Amerika përkujton viktimat dhe sulmet kundër demokracisë. Mesazhi i ri i Bin Ladenit
me rastin e gjashtë vjetorit të atentateve terroriste të 11 shtatorit.
(11.9.2007 RV)Sot në mëngjes me
të rrahurat e këmbanës në orën 08.46, orë në të cilën gjashtë vjet më parë aeroplani
i parë u përplas me Kullat Binjake, nisën në SHBA-ë kremtimet përkujtimore për viktimat
e 11 shtatorit. Ndërsa presidenti amerikan George Bush dhe Dick Cheney së bashku me
bashkëshortet e tyre mbajtën një minutë heshtje në kopshtin e Shtëpisë së Bardhë,
në Ground Zero kryetari i bashkisë së Nju Jorkut Michael Bloomberg nisi ceremoninë
përkujtimore, pikërisht afër vendit ku po punohet për ndërtimin e një kompleksi të
ri për Qendrën Botërore të Tregtisë. “Duhet të nisim një faqe të re, pa revolucione”,
u shpreh kryetari i bashkisë Bloomberg në një intervistë televizive dhënë para fillimit
të kremtimeve, gjatë të cilave u lexuan emrat e 2750 personave që humbën jetën gjatë
atentateve. Leximi i emrave, në praninë e kandidatëve për president si Rudy Giuliani
dhe Hillary Clinton, këtë vit iu besua zjarrfikësve dhe policëve. Duke iu përgjegjur
kërkesave të familjarëve, Bloomberg hapi për familjarët rrethimin ku gjendet Ground
Zero, një zonë ku tashmë po kryhen punime.
E ndërsa mbarë bota sot po flet
për paqen në internet nisi të qarkullojë një mesazh i Bin Ladenit mbi atentatet e
11 shtatorit. Mesazhi, vetëm me zë dhe me një fotografi të Bin Ladenit me mjekër
të lyer zgjat afro 15 minuta. Në të Bin Ladeni lavdëron bëmat e Al Shehrit, njërit
prej kamikazeve që shkaktuan atentatet e 11 shtatorit. “Ka ardhur çasti që të bëjmë
detyrën tonë” thotë në mesazh Bin Ladeni duke u bërë thirrje të rinjve të ndjekin
shembullin e Al Shehrit. Mesazhi vijon me fjalët e fundit të kamikazes Al Shehri.
Por
cili është qëndrimi i popullit amerikan ndaj atentateve të 11 shtatorit. Nga 81 përqind
e amerikanëve ato përceptohen si ngjarja më e rëndësishme e jetës. Mjafton kjo e dhënë,
bërë publike sot nga shoqata demoskopike Zogby International për të kuptuar ndjenjat
me të cilat populli amerikan përkujtoi sot përvjetorin e gjashtë të sulmeve terroriste
të 11 shtatorit 2001. Sidoqoftë, kjo datë me tërë atë ngarkesë dhëmbjeje që mbart
në vetvete i përket tashmë tërë njerëzimit. Atentatet e Madridit dhe Londrës, sikurse
edhe në shumë vende të tjera islamike të kujtojnë se askush nuk mund të ndihet i pacënueshëm
nga sulmet terroriste. A mos jemi të destinuar të jetojmë me frikën e terrorizmit? Më
hollësisht mbi këtë problem flet prof. Antonio Maria Baggio, docent i etikës politike
në Universitetin Papnor Gregorian, njohës i thellë i shoqërisë amerikane:
Përgjigje:
Ka disa vjet tashmë që gjendemi brenda kësaj forme. Terrorizmi në të vërtetë është
një mënyrë shfaqjeje ekstreme dhe e tmerrshme tek e cila janë vërejtur përçarje dhe
probleme, të cilat kanë qenë edhe më përpara. Sigurisht rruga e terrorizmit nuk mund
të justifikohet në asnjë mënyrë. Nuk ka asgjë që mund të përligj këtë lloj zgjedhjeje
në jetë. Natyrisht ne kemi një gjendje ndërkombëtare me probleme shumë të mëdha të
pazgjidhura, dhe shpeshherë situatat ku ka padrejtësi të vërteta dhe varfëri duket
se mund të zgjidhen, - dhe ky është një gabim, – duke kryer akte terroriste.
Pyetje:
Me atentatet e 11 shtatorit, shumë amerikanë i kanë bërë vetes pyetjen se përse janë
të urryer! Sot e dimë sesa është i përhapur në botë antiamerikanizmi. Sipas jush,
mos bëhet fjalë për një dukuri që është e destinuar të zgjasë?
Përgjigje: Do
të zgjasë sa të zgjasin ideologjitë që ushqejnë antiamerikanizmin. Po e shpjegoj:
antiamerikanizmi ka qenë një ndër elementët e përplasjes së madhe ndërmjet socializmit
dhe kapitalizmit përgjatë shekullit të kaluar. Nuk duhet të mendojmë se pavarësisht
se vendet socialiste u zhdukën ideologjia e tyre mbaroi bashkë me ta. Ideologjitë
janë pjesë e mentalitetit dhe si të tilla zgjasin në kohë: ndryshojnë, shndërrohen,
por vijojnë të mbartin brenda atë mikrobin e urrejtjes për Shtetet e Bashkuara të
Amerikës. Kah ana tjetër kemi SHBA të cilat mendojnë se janë kombi i përzgjedhur dhe
shumë shpesh tek amerikanët vihet re një lloj vështirësie për të bërë autokritikë.
Roli që luajnë në situatën ndërkombëtare, për shembull, bën që t’iu shmangen gjykimeve
dhe t’i sjellin shpinën kritikave. Por mos të harrojmë se vetë ekzistenca e SHBA-ës
është diçka që është krijuar nga shumë popuj të botës. Ky eksperiment amerikan është
bërë me kontributin e shumë popujve të botës. Por ne duhet të shohim edhe anën e mirë.
SHBA-ës kanë qenë vendi ku ne, të ikur nga diktaturat apo edhe thjesht nga uria, kemi
gjetur mundësinë për të rifilluar jetën tonë.
Pyetje: Në fjalimin e ambasadorit
amerikan me 13 shtator 2001, Papa Gjon Pali II uroi që ky akt çnjerëzor të mos vijonte
me një vorbull dhune. Për fat të keq nuk ndodhi kështu. Edhe në atë rast Papa Wojtyla
qe profetik?
Përgjigje: Po, është e vërtetë. Le të kujtojmë ndërkaq se atentatet
në Uashington dhe në Nju Jork minuan atë sigurinë e palëkundëshme që ekzistonte deri
atëherë: sigurinë se shteti më i fuqishëm i botës nuk do të goditej kurrë nga një
fuqi tjetër më e madhe dhe treguan se nuk mjafton forca për të siguruar qetësinë por
se duhen edhe gjëra të tjera. Ja se pse është e rëndësishme jo vetëm dërgimi i ushtrisë,
që në disa raste edhe mund të bëhet, por është e rëndësishme që të krijohen situata
ku drejtësia vepron, situata respekti, dialogu, mbasi forca vetëm nuk është e mjaftueshme.
Fatkeqësisht është ndjekur kryesisht rruga e dhunës dhe kjo në kundërshtim të plotë
me doktrinën katolike mbi paqen dhe luftën.
Pyetje: Pas 11 shtatorit është
folur shumë për përplasje ndërmjet qytetërimeve...
Përgjigje: Kur flitet për
përplasje ndërmjet qytetërimeve paraqitet një teori që racionalizon dhe që përpiqet
të bëjë fakt të pakundërshtueshëm një përplasje ndërmjet kulturave, ndërmjet sistemeve
– le të themi – ekonomike dhe kulturore. Nuk është fjala për një situatë të natyrshme,
që është shkaktuar nga mungesa e feve. Pra, janë edhe rrugëdaljet, zgjedhjet e këtyre
viteve ato që i kanë gërmuar me i kanë thelluar më tej humnerat ndërmjet popujve,
ato që bëjnë të mundur të flitet për një përplasje ndërmjet qytetërimeve. Pra rruga
e luftës dhe e përpjekjeve duhet të shoqërohet me një projekt zhvillimi dhe dialogu
ndërmjet popujve.