2007-09-09 17:39:41

Në lutjen e Engjëllit të Tenzot Ati i Shenjtë ia besoi Marisë fatin e Austrisë dhe të banorëve të saj


(09.9.2007 RV) Të dashur vëllezër dhe motra!
Për mua sot këtë mëngjes qe një përvojë veçanërisht e bukur të kremtoj me ju Ditën e Zotit në një mënyrë kaq të denjë dhe solemne në katedralen e shkëlqyeshme të Shën Shtjefnit. Riti eukaristik i realizuar me hijeshinë e nevojshme na ndihmon të ndërgjegjësohemi për përmasat e jashtëzakonshme të dhuratës që na bën Zoti gjatë Meshës Shenjte: kështu ne i afrohemi njëri-tjetrit dhe provojmë gëzimin e Zotit. Prandaj u jam mirënjohës atyre që nëpërmjet kontributit të tyre aktiv në përgatitjen dhe në zhvillimin e Liturgjisë apo edhe thjeshtë nëpërmjet pjesëmarrjes së tyre, krijuan atë atmosferë në të cilën u pa me të vërtetë prania e Zotit. Faleminderit me gjithë zemër! Zoti ua shpërbleftë të gjithëve!
Gjatë predikimit thashë diçka mbi kuptimin e së Dielës e mbi pjesën e ungjillit të sotëm. Mendoj se kjo do të na shtyjë të zbulojmë se dashuria e Zotit, i cili “humbi veten” për ne duke na u dorëzuar neve, na jep lirinë e brendshme që të “humbasim” jetën tonë, për të gjetur në këtë mënyrë jetën e vërtetë. Pjesëmarrja në këtë dashuri i dha forcën Marisë për të thënë “po” pa ngurrim. Përballë dashurisë së respektëshme dhe të brishtë të Zotit, i cili për zbatimin e projektit të tij për shpëtimin e botës pret bashkëpunimin e lirë të krijesës së vet, Virgjëra nuk ngurron aspak dhe i lëshohet krejtësisht në dorë këtij plani të madh të padëgjuar ndonjëherë. Krejtësisht e gatshme, krejtësisht e hapur brenda vetvetes dhe e lirë nga vetvetja, i dha kështu Zotit mundësinë për ta mbushur me Dashurinë e tij dhe me Shpirtin Shenjtë. Kështu Maria, një grua e thjeshtë, i hapi krahërorin Birit të Zotit dhe i dha botës Shëlbuesin që iu dhurua asaj.


Edhe neve na është dhënë në kremtimin eukaristik, i Biri i Zotit. Kush ka marrë Kungimin ka tashti brenda vetes në mënyrë të veçantë Zotin e Ngjallur. Ashtu si Maria që e mori në krahëror, si një krijesë të vogël e të brishtë, krejtësisht i varur nga dashuria e së emës – kështu Jezu Krishti, nën shembulltyrën e bukës, na besohet edhe neve, të dashur vëllezër dhe motra. Era duket se don të thotë të veten, por edhe ne jemi të lumtur që ka edhe pak diell! – ta duam këtë Jezus që na dorëzohet krejtësisht në duart tona.”

Do të doja të thoja tani uratën Nënës së Zotit që ishte në plan të thuhej në Mariensaule, por që për arsye teknike nuk qe e mundur.


“Shenjtja Mari, Nëna e Papërlyer e Zotit tonë Jezu Krisht, nëpërmjet teje Zoti na ka dhuruar prototipin e Kishës e të mënyrës së drejtë për të zbatuar njerëzimin tonë. Ty po ta besoj vendin e Austrisë dhe banorët e tij: ndihmona të gjithëve të ndjekim shembullin tënd dhe ta drejtojmë jetën tonë krejtësisht nga Zoti! Bëj që duke shikuar nga Zoti, të bëhemi gjithnjë e më të ngjashëm me Të: bij të vërtetë të Zotit! Atëherë edhe ne, plot me bekime shpirtërore do të mund t’i përgjigjemi gjithnjë e më mirë vullnetit të tij duke u bërë kështu mjete paqe për Austrinë, për Evropën dhe për botën. Amen
Të dashur miq, tani, sipas mënyrës austriake, të këndojmë “Engjëllin e Tënzot”.







All the contents on this site are copyrighted ©.