2007-09-08 15:16:43

Në ditën e dytë të vizitës së tij apostolike në Austri, Papa nga Shenjtërorja e Mariacellit tha se e vërteta nuk është mostoleruese, nuk pohohet me forcë por dëshmon veten me dashuri.


(8.09.2007RV)Të dashur dëgjues në plan të parë të emisionit tonë të sotëm dita e dytë e vizitës apostolike të Atit të Shenjtë në Austri.
Benedikti XVI vizitoi sot Shenjtëroren më të njohur kushtuar Zojës së Bekuar në Austri, në Mariacell, me rastin e 850-vjetorit të themelimit të saj. Kremtimi solemn i eukaristisë udhëhequr nga Papa në bashkëkremtim me kardinaj dhe ipeshkvij të Austrisë dhe të vendeve të tjera, ndër të cilat edhe kryetari i konferencës Ipeshkvnore shqiptare Imzot Rrok Mirdita, kishte për temë moton e këtij udhëtimi apostolik: “Shikojeni Krishtin!”. Ndërsa pasdite, gjithnjë në Shenjtëroren e Mariacellit, Ati i Shenjtë Racinger takoi meshtarët, rregulltarët, diakojtë dhe seminaristët, bashkë me të cilët kremtoi lutjet e mbrëmjes të festës së lindjes së Virgjërës Mari.
Por le të kthehemi tek momenti kulmor i ditës së sotme që ishte vizita dhe kremtimi i Meshës së Shenjtë në Shenjtëroren Mariacell.
Para një numri të madh besimtarësh dhe të rinjsh që kishin mbushur sheshin para Shenjtërores së Mariacellit, pavarësisht nga moti me shi, Ati i Shenjtë nënvizoi domethënien e shtegtimit shpirtëror që do të thotë kërkimi i Zotit dhe pranimi i së Vërtetës së Tij që na bën të lirë dhe i jep kuptim jetës.
Ja një përmbledhje nga homelia e Atit të Shenjtë Benediktit XVI:


Sot kremtojmë festën e kësaj Shenjtëroreje, festën e Lindjes së Marisë. Që nga viti 850…Mariacell është bërë për Austrinë, e shumë përtej kufijve të saj, vend i paqes e i bashkimit të pajtuar…. Sot hyjmë në këtë shtegtim të madh shumë shekullor… Na e trego Jezusin. Na trego neve shtegtarë Atë që njëherësh është udha e caku: e vërteta e jeta.
         Pjesa ungjillore…na paraqet historinë e Izraelit duke u nisur nga Abrahami si një shtegtim që, me të përpjetat e tëposhtat nëpër udhë të shkurta e nëpër udhë të gjata, në fund të çon te Krishti…. Hyji shkruan drejtë edhe nëpër rreshta të shtrembër të historisë njerëzore. Hyji na lë lirinë tonë e, megjithëkëtë, di të gjejë në dështimin tonë rrugë të reja për dashurinë e tij…një garanci kjo që pohon se Hyji nuk na le të biem, të rrëzohemi, e një thirrje për ta orijentuar jetën tonë rishtas drejt Tij, për të ecur gjithmonë  e përsëri drejt Krishtit.
         Të shkosh në shtegtim do të thotë të orijentohesh në një drejtim të qartë , të ecësh drejt një caku…. Ndër shtegëtarët para ardhjes së Jezusit ishin disa që kishin harruar cakun e donin ta vinin veten si cak.  Mirëpo Zoti përsëri zgjoi persona që vijuan shtegtimin të nxitur nga vullneti e nostalgjia e cakut, duke e orijentuar jetën e vet drejt cakut përfundimtar. Hovi drejt fesë së krishterë, fillimi i Kishës së Jezu Krishtit qe i mundshëm, sepse në Izrael ekzistonin persona me zemër në kërkim – persona që nuk u mjaftuan me doke e traditë, por që  kërkuan diçka më të madhe: Zakaria, Elizabeta, Simeoni, Ana, Maria e Jozefi, të Dymbëdhjetët e shumë tjerë. Duke qenë se zemra e tyre ishte në pritje, ata patën mundësinë që në Jezusin të njihnin Atë që Hyji e pati dërguar për t'u bërë kështu zanafillë e familjes së vet universale. Kisha e popujve është bërë e mundshme, sepse si në Mesdhe si në Azinë e afërt e të mesme, ku arrinin lajmëtarët e Jezu Krishtit, kishte persona në pritje që nuk u mjaftonin e nuk kënaqeshin me atë që bënin e mendonin të gjithë, por kërkonin yllin që mund t'u tregonte atyre udhën drejt së Vërtetës, drejt Zotit të gjallë.
         Edhe sot nuk është e mjaftueshme të jemi e të mendojmë në një farë mënyre si të gjithë tjerët. Projekti i jetës sonë shkon më tej. Ne kemi nevojë për Zotin, për atë Zot që na ka zbuluar e treguar fytyrën dhe hapur zemrën e vet: Jezu Krishtin……
         Vetëm Ai është Hyj e për këte vetëm Ai është ura, që vë në kontakt të menjëhershëm Zotin e njeriun. Nëse ne e quajmë Ndërmjetësues të vetëm të shpëtimit të vlefshëm për të gjithë, që u intereson të gjithëve e prej të cilit, përfundimisht, të gjithë kanë nevojë, kjo nuk do të thotë aspak përçmim e përbuzje të feve tjera, as absolutizimi mendjemadh i mendimit tonë, por vetëm të jesh i pushtuar nga Ai që na ka prekur në brendësi e që na ka mbushur me dhurata, në mënyrë që ne nga ana jonë të mund të t'ia dhuronim të tjerëve ….feja jonë i kundërvihet vendosmërisht dorëzimit pa kushte e atij mendimi që e konsideron njeriun të paaftë për të vërtetën- thua se kjo është tepër e madhe për të. Ky dorëzim pa kushte para së vërtetës është thelbi i krizës së Perëndimit, i krizës së Evropës. Nëse për njeriun nuk ekziston e vërteta, ai, në fund, nuk mund as të dallojë mes të mirës e së keqes. E atëherë njohuritë e mëdha e të mrekullueshme të shkencës bëhen të dykuptimta: mund të hapin perspektiva të rëndësishme për të mirën, për shpëtimin e njeriut, por edhe – e këtë e shohim – mund edhe të bëhen kërcënime të tmerrshme, shkatërrim i njeriut dhe i botës. Ne kemi nevojë për të vërtetën. E është qartë, se për shkak të historisë sonë kemi frikë se feja në të vërtetën mund të sjell mostolerim. Nëse kjo frikë, që ka arsye të mira historike, na pushton, ka ardhur koha ta vështrojmë Jezusin siç e shohim në shenjtëroren e Mariacellit.. duke iu dhuruar njeriut vetëm përmes pushtetit të brendshëm të të qenurit të tij të vërtetë. E vërteta e dëshmon veten në dashuri……..
" Shikojeni Krishtit", është motoja e kësaj dite… Hyji nuk vjen me forca të jashtme, por vjen në pafuqinë e dashurisë së vet, që përbën edhe forcën e Tij… Jezusi foshnje na përkujton….të gjithë fëmijët e botës, në të cilët do të  vijë të na takojë. Fëmijët që jetojnë në varfëri; që shfrytëzohen si ushtarë; që kurrë nuk e kanë përjetuar dashurinë e prindërve; fëmijët e sëmurë e plotë vuajtje, por edhe atat të lumtur e të shëndoshë. Evropa është bërë e varfër pa fëmijë: ne  duam gjithçka për vete, e ndoshta nuk kemi shumë besim në të ardhmen. Mirëpo pa të ardhme toka do të jetë vetëm kur shuhen forcat e zemrës njerëzore e të arsyes së ndriçuar nga zemra- kur fytyra e Zoti nuk do të shndrisë më mbi tokë. Ku ka Zot, aty ka edhe të ardhme.
         "Shikojeni Krishtin":….Hyji e ka shëlbuar botën jo përmes shpatës, por përmes Kryqit. "Shikojeni Krishtin!" Nëse e bëjmë këte, do të kuptojmë se krishtërimi është diçka më tepër e diçka ndryshe e tjetër nga një sistem i moralit, nga një sërë kërkesash e ligjesh. Është dhuratë e një miqësie që zgjatë e qëndron në jetë e në vdekje…E pikërisht duke u nisur nga fakti se krishtërimi është më tepër se morali, mu për këtë është dhuratë e një miqësie, e për këtë bart në vete edhe një forcë të madhe morale për të cilën ne, para sfidave të kohës sonë, kemi kaq nevojë…Ajo para së gjithash është një "po" ndaj Zotit, që na sjell e, megjithkëtë, na lë lirinë tonë, madje, e bën liri të vërtetë… Është një "po" ndaj familjes, një "po" ndaj jetës, një "po" ndaj një dashurie të përgjegjshme, një "po" ndaj së vërtetës e një "po" ndaj respektimit të personave të tjerë e të asaj që u përket atyre. Në sajë të forcës së miqësisë sonë me Zotin e gjallë je jetojmë këtë "po" të shumëfishtë e njëkohësisht e bartim si tregues të përshkimit brenda botës sonë.

Kremtimi i meshës së sotme përfundoi me një uratë të Benediktit XVI drejtuar Virgjërës Mari Nënës së Zotit së cilës i kërkoi të vazhdojë të na dhurojë gjithnjë Jezusin, Birin e Zotit, Dritën e vërtetë të botës. “Këtë dritë, Krishtin, - tha Papa, në lutjen e tij, na mëso o Zoja Mari ta njohim e ta duam, në mënyrë që edhe ne të mund të jemi të aftë për një dashuri të vërtetë e të jemi burimet e ujit të gjallë në mes të një bote të etur për të vërtetën hyjnore.


Dëgjues të nderuar ju kujtojmë se nesër në ditën e tretë dhe të fundit të vizitës apostolike në Austri, Papa do të kthehet në Vjenë, ku nesër paradite, në orën dhjetë do të kremtojë Meshën Shenjte në katedralen e Shën Shtjefnit. Pasdite në orën 16.30, Papa Racinger do të vizitojë Abacinë e Shën Kryqit e do të lutet përpara reliket e Kryqit të Shenjtë së bashku me murgjit, profesorët dhe studentët e universitetit papnor.RealAudioMP3








All the contents on this site are copyrighted ©.