2007-09-05 20:13:44

Në mesazhin për Asamblenë III Ekumenike Papa uron "një dialog të së vërtetës dhe takimin në shenjën e vëllazërimit"


(05.09.2007 RV)Dita e dytë e Asamblesë III Ekumenike evropiane në Sibiu të Rumanisë u karakterizua nga lutjet e përbashkëta, mesazhi i mirëseardhjes së presidentit rumun Basesku e urimet e përfaqësuesve të botës katolike, protestante dhe ortodokse. Papa Benedikti XVI i dërgoi mesazhin e tij Asamblesë, në të cilin shpreh “shpresën e gjallë” që rruga ekumenike të shkojë përpara.
“Dy elementë duhet të jenë për ne orientim në impenjimin tonë – shkruan Papa: dialogu i së vërtetës dhe takimi në shenjën e vëllazërimit. Të dyja kanë nevojë për ekumenizmin shpirtëror si bazë”.
Më pas Ati i Shenjtë citon Koncilin II të Vatikanit, që pati vënë theksin në shembullin e të krishterëve e shenjtërimin e jetës nga njëra anë, dhe lutjet private e publike për bashkimin e të krishterëve nga ana tjetër. Papa kujton rrugën e bërë deri tani e sidomos Enciklikën e Gjon Palit II “Ut Unum sint” (Që të gjithë të jenë një). Përmend asambletë e mëparshme në Bazel të Zvicrës e në Grac të Austrisë deri tek nënshkrimi i Kartës Ekumenike në Strasburg, në vitin 2001.
Papa është i bindur se të krishterët janë të thirrur të kontribuojnë në përparimin e vërtetë të shoqërisë evropiane, në lindje e perëndim, e pikërisht për këtë takimi i Sibiut do të ofrojë direktiva të çmueshme.
I uroj asamblesë – përfundon Benedikti XVI – të krijojë hapësira takimi për unitetin duke respektuar ndryshimet e ligjshme. Me bindjen se rrënjët e përbashkëta të krishtera janë më të thella se sa ndarjet – u shkruan Papa pjesëmarrësve – do të jetë e mundur të thyhet edhe një lloj mendjemadhësie e gënjeshtërt dhe të kapërcehet indiferenca, duke eksperimentuar shpirtërisht bazën e përbashkët të fesë sonë.
Metropoliti Daniel, i ngarkuari me punë pas vdekjes së Patrikut ortodoks Teoktist dhe Patriku Ekumenik Bartolomeu I theksuan gjatë mbledhjes së parë të Asamblesë se nga Sibiu i duhet kujtuar Evropës se drita e mesazhit ungjillor ka vendosur themelet e qytetërimit evropian, gjithnjë në dialog me fetë dhe kulturat e tjera. Problemi kryesor i bashkimit, qëndron edhe në mënyrën e ndryshme me të cilën Kishat shohin qëllimet e tyre finale. Temës iu kthye edhe kardinali Valter Kasper, presidenti i Këshillit Papnor për Nxitjen e Bashkimit të të krishterëve, i cili foli për kritikat, sidomos nga bota evangjeliste, ndaj dokumentit të fundit të Kongregatës për Doktrinën e Fesë, që trajton temën e marrëdhënieve të kishës katolike me kishat e tjera. “Nuk duhet t’i fshehim plagët – tha ai . Një ekumenizëm përkëdheljesh e sa për sy e faqe nuk na ndihmon të bëjmë përparime”. Shtoi se ndarjet e të krishterëve në histori janë arësyeja për shekullarizimin e sotëm të kontinentit evropian.
I të njëjtit mendim edhe kardinali Peter Erdë, president i Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës, në mikrofonin tonë:
Evropa ka nevojë për Krishtin e ne të gjithë duhet të dëshmojmë dashurinë dhe të vërtetën e tij. Ka shumë pika ku të krishterët mund të dëshmojnë bashkërisht. Pikërisht kjo gjë justifikon nevojën e edhe rëndësinë e këtij takimi.







All the contents on this site are copyrighted ©.