2007-09-05 20:10:58

10 vjet më parë kaloi në amshim Nënë Tereza, "dishepulle e vërtetë e Krishtit", siç e kujtoi Papa Benedikti XVI


(05.09.2007 RV)RealAudioMP3 Jeta dhe dëshmia e kësaj dishepulle të vërtetë të Krishtit, së cilës i kremtojmë pikërisht sot festën liturgjike, janë një ftesë për ju e për të gjithë Kishën që t’i shërbeni me besnikëri Zotit në më të varfërit e më nevojtarët. Vazhdoni ta ndiqni shembullin e saj e qofshi gjithkund mjete të dashurisë hyjnore
Siç e kujtoi Papa Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme, duke iu drejtuar 1500 misionareve dhe misionarëve të Bamirësisë të pranishëm, 10 vjet më parë vdiste në Kalkutë (sot Kolkatë), e Lumja Nënë Tereza. Ishte 5 shtatori i vitit 1997 e Gonxhe Bojaxhiu kishte mbushur 87 vjet. Dikush ka shkruar se nëse ajo do të kishte vdekur në kohë të tjera, do të ishte varrosur me nderimet e shenjtorëve, pasi populli e njihte për shenjte që në të gjallë. Në vitin 1979 pat marrë çmimin Nobel për paqen e para gjithë botës nga tribuna e dorëzimit të çmimeve, pati kërkuar që të luteshin për popullin shqiptar. Në vitin 2003 shpallet e Lume nga Papa Gjon Pali II. Në të gjithë botën janë zhvilluar aktivitete e manifestime të ndryshme për të kujtuar Nënën e të varfërve. Në Kolkatë (Kalkuta e dikurshme), qindra njerëz shkojnë të luten në shtëpinë e motrave të Bamirësisë dhe kërkojnë që Nënë Tereza të shpallet shpejt shenjte. Në agim, një procesion me qirinj dhe një meshë kujtuan murgeshën e vogël shqiptare.
“The fruit of the silence is prayer….”
Fryti i heshtjes është lutja. Fryti i i lutjes është feja. Fryti i fesë është dashuria. Fryti i dashurisë është paqja. Veprat e dashurisë nuk janë tjetër veçse vepra paqeje.
Gjërat e vërteta lindin nga heshtja! Nënë Tereza ndodhej në Indi si drejtoreshë e një shkolle të një kongregate fetare. Në Kalkutë zbulon dramën e heshtur të të varfërve, të moshuarve, të grave e të fëmijëve, që të braktisur nga kjo botë, vdisnin në rrugët e indiferencës. Dëgjon zërin e Jezu Krishtit që i thotë: “Lëre kuvendin e shko të ndihmosh të varfërit, jeto me ta, ndër ta e si ata”. Bindet: shkon të jetojë në mes të barrakave e plehrave dhe fillon të mbledhë më të dëshpëruarit e të dëshpëruarve, sidomos lebrozët. Aty ku të tjerët shihnin veç dhimbje e dështim, ajo sheh fytyrën e Krishtit. Por si mund t’i përgjigjet thirrjes së Zotit, ku gjendet forca për të thënë “po”? Të dëgjojmë Nënë Terezën:
“By allowing to…”
Duke e lënë veten në dorë të Krishtit, por edhe nëpërmjet një dashurie të thellë e delikate për Jezusin, sidomos në Eukaristi, në Meshë e në Adhurim.
“Vëmendja ndaj të tjerëve – thotë misionarja – është fillimi i shenjtërisë”. Nënë Tereza kujdeset për njeriun veç e veç, jo për turmën. Qëndron me të varfërit, por di t’u drejtohet edhe të pasurve, në të cilët shpesh sheh dëshpërimin: “të varfërit e Kalkutës – pohon – nuk kanë asgjë, por besojnë akoma në diçka; ndërsa ata që kanë shumë, duket sikur nuk besojnë më në asgjë”. Flet kundër çdo lloj dhune: nga lufta tek aborti. “Nëse nuk e doni fëmijën – u thotë nënave që duan të abortojnë – ma jepni mua: mos e vrisni! Sepse derisa të ekzistojnë nëna që shkatërrojnë jetën e fëmijëve që në kraharor, rruga e vrasjeve dhe e luftës mbetet gjithnjë e hapur”. Mesazhi i saj është i thjeshtë: dashuria e shpallur nga Jezusi në Ungjill:
“Jesus came to give us…”
Jezusi erdhi të na sjellë Lajmin e Mirë se Zoti na do e se duhet ta duam njëri-tjetrin, ashtu si Ai na do ne. Për këtë pati thënë: “Çdo gjë që e bëni për nevojtarët e keni bërë për mua. Nëse keni dhënë një gotë ujë në emrin tim, ma keni dhënë mua. Nëse keni mirëpritur një fëmijë në emrin tim, më keni pritur mua”. E kur të vdesim e të kthehemi tek shtëpia e Zotit, sërish do të dëgjojmë Jezusin që thotë: “Ejani ju të bekuar nga Ati im, sepse kur pata uri më dhatë të ha. Isha i zhveshur e më veshët, Nuk kisha shtëpi e më pritët në shtëpinë tuaj. Isha i sëmurë e në burg dhe erdhët të më shihni. Ejani dhe merrni në dorëzim Mbretërinë që është përgatitur për ju”. Ku e ka fillimin dashuria? Në familje. Si fillon? Duke u lutur sëbashku. Familja që lutet sëbashku, mbetet e bashkuar. E nëse ju do të mbeteni të bashkuar do ta doni njëri-tjetrin, ashtu si Jezusi ju do. Çojeni pra lutjen, gëzimin, dashurinë dhe paqen në familjet tuaja e kështu do të rriteni në shenjtëri. Shenjtëria nuk është lluks për pak vetë, është një bukuri e thjeshtë, sepse Jezusi ka thënë: “Qofshi të shenjtë, ashtu si Ati im që është në qiell”. Zoti ju bekoftë të gjithëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.