2007-09-03 17:51:01

Papa emëroi Imzot Ravasin president të ri të Këshillit Papnor për Kulturën. Zëvendëson kard. Poupard


(03.09.2007 RV)Papa Benedikti XVI emëroi sot presidentin e ri të Këshillit Papnor për Kulturën, që zë vendin e kardinalit të mirënjohur francez Pol Pupard, i cili është tërhequr për arësye moshe nga udhëheqja e një organizmi që e njeh prej 20 vjetësh. Presidenti i ri është teologu i mirënjohur italian, imzot Xhanfranko Ravazi, deri tani prefekt i Bibliotekës së famshme Ambroziane. Njëkohësisht, imzot Ravazi është emëruar edhe president i dy Komisioneve Papnore, atë për Pasuritë Kulturore të Kishës dhe atë për Arkeologjinë kishtare. Papa i ka caktuar selinë e Vilamanjës së Prokonsolares, me dinjitetin e kryeipeshkvit.
Papa Benedikti XVI ka emëruar gjithashtu edhe imzot Tomazo Kaputon, deri tani kreu i Protokollit në Sekretarinë e Shtetit, si Nunc Apostolik në Maltë dhe në Libi si edhe imzot Vinçenc Di Mauron si sekretar të Prefekturës për Punët Ekonomike të Selisë së Shenjtë.
Të ndalemi tek njëri prej emërimeve, e pikërisht në emërimin e presidentit të Këshillit Papnor për Kulturën. Imzot Xhanfranko Ravazi, “ministri” i ri kulturës i Vatikanit, është lindur në Merate të provincës së Lekos, 65 vjet më parë. Cilat janë për të sfidat më të mëdha kulturore të botës së sotme. Ta dëgjojmë, në intervistën që ka dhënë për radion tonë:RealAudioMP3
Sfidat kryesore kulturore të sotme bëjnë pjesë në trajektore shumë të ndryshme njëra nga tjetra. Nga njëra anë, kemi sigurisht përpjekjen për të rigjetur vlerat e mëdha, në një konfrontim me një traditë kaq të ngritur e kaq fisnike si ajo e krishterë. Krishterimi ka pas shpine 2 mijëvjeçarë të një kulture të nivelit shumë të lartë, e cila nuk mund të likuidohet kaq thjeshtë, siç ndodh nganjëherë në ditët tona me batuta, me përqeshje gati të tipit goliardik. Prandaj elementi i parë, në një botë kaq të vagullt e të pasigurtë, është të gjejmë thelbin, substancën dhe njëkohësisht edhe rrënjët që e ushqejnë atë.
Një trajektore tjetër është sigurisht kapërcimi i banalitetit, i të qënit i përciptë. Fakti që kultura fetare, për natyrën e saj, bën pyetje të thella dhe jep përgjigje që janë gjithashtu të thella, kjo bën që në botën e sotme, e cila ndalet aq shumë në sipërfaqen e gjërave, në anën e tyre banale, e nganjëherë madje vulgare, të gjendet një lloj shkëndije e thellë, një lloj fare e mbjellur që akoma duhet të lulëzojë. E kjo është sfida e dialogut me këtë botë. Do të thosha se këto dy trajektore janë kryesoret. Pastaj natyrisht, degëzohen në ndërlikimet e një dikasteri vatikanas, që nuk sheh vetëm drejt Perëndimit, por edhe drejt horizonteve të kontinenteve si Afrika e Azia, që kanë rrugë të reja, rrugë të ndryshme nga ato që kemi bërë deri tani.
Shoqëria e sotme është kontradiktore, pasi nga njëra anë, duket se e ndërton jetën e vet pa Zotin, por nga ana tjetër, ka gjithnjë e më tepër etje për të. Si e shjegoni ju këtë?
Kjo është e vërtetë. Ne ndodhemi për paradoks, në një botë që duket sikur ndalet para evidentes, banalitetit, humbet në gjera të vogla, tashmë në vend të fjalës përdor thashethemen e në veprimet e veta i mungon një projekt. Por, nga ana tjetër, kurrë më shumë se në këtë terren kaq të shkretë, ndjehet nevoja për të shtrirë rrënjët e shpresës, ndjehet drithërimi i njeriut. Siç thoshte me të drejtë Paskali: “Njeriu e tejkalon pa fund njeriun”. Është e kotë që me anë të reklamës, tregtisë, jetës së reduktuar në fenomenin ekonomik e biologjik të përpiqesh të kënaqësh njeriun e nevojat e tij primare, instiktive. Në fund të fundit, njeriu ka gjithnjë brenda vetes një lloj zemre të hapur ndaj amshimit e pafundësisë. Ka gjithnjë brenda vetes këtë tension që është më i madh se ai vetë. E është pikërisht në kërkimin e kësaj gjëje tjetër, që shkon përtej së zakonshmes, vendi ku duhet të jetë e pranishme Kisha me mesazhin e saj kulturor.







All the contents on this site are copyrighted ©.