2007-09-01 20:17:19

Papa në Loreto: të rinjtë nuk janë periferi për Zotin. Kini besim te Krishti. Ai plotëson aspiratat e zemrës suaj.


(01.09.2007 RV)RealAudioMP3 Vazhdon akoma takimi i të rinjve të Italisë e të Evropës me Papën Benedikti XVI në Loreto, ku në pllajën e Montorsit u mblodhën sot pasdite mëse 400 mijë vetë, që me këngë e tambure, me kore shumëngjyrëshe pritën në festë Atin e Shenjtë, i cili mbërriti për lutjen me të rinjtë në orën 18.00.
Ndërsa ne po transmetojmë, Papa përgatitet për të shkuar në shenjtoren mariane të Loretos, ku do të ketë një lidhje televizive me pllajën e Montorsit. Ky moment do të shënojë fillimin e lutjes së natës, që do të vazhdojë deri nesër në mëngjes, kur të rinjtë do të takohen sërish me Papën Benedikti XVI në meshën solmene që do të kremtohet në orën 9.30.
Por të kthehemi tek përvoja e paharruar e ditës së sotme. Papa iu përgjigj dy pyetjeve të të rinjve dhe mbajti më pas një fjalim të përqëndruar në përgjigjen që Zoja e Bekuar i dha Zotit në momentin kur Ai e zgjodhi si Nënën e Birit të vet Jezu Krishtit. “Po” –ja e thënë nga ajo vajzë e brishtë, por e dëgjueshme, u mor shpesh si shembull nga Benedikti XVI për t’u treguar të rinjve rrugën që duhet të ndjekin.
Këtu keni ardhur për vullnet të Shpirtit Shenjt – u tha të rinjve Papa – duke sjellë me vete përvojën tuaj, dyshimet, bindjet, kuriozitetin… Të gjithë të rinjve pa përjashtim, vazhdoi Ati i Shenjtë, atyre që besojnë e atyre që nuk arrijnë të besojnë, atyre që studiojnë e punojnë, atyre që shpresojnë e atyre që dëshpërohen, atyre që e duan jetën e atyre që e hedhin si pa gjë të keq, t’u arrijë kjo fjalë e imja: Papa është afër jush, ndan me ju gëzimin e hidhërimin, sidomos ndan me ju shpresat më intime të shpirtit e për secilin prej jush i kërkon Zotit jetën e plotë e të lumtur, një jetë plot kuptim, një jetë të vërtetë.
Por si të integrohen të rinjtë në një shoqëri të shënuar nga padrejtësia dhe vuajtja? Si duhet të reagojnë para egoizmit dhe dhunës? Si duhet t’i japin kuptim jetës? Përgjigjia është vetëm një, shpjegoi Benedikti XVI, dhe është Krishti:
Mos kini frikë, Krishti mund të plotësojë aspiratat më intime të zemrës suaj! A ka ëndrra që nuk realizohen kur ai që i zgjon dhe i kultivon në zemër është Shpirti i Shenjtë? A ka gjë që bllokon entuziazmin kur jemi të lidhur me Krishtin? Asgjë e askush, do të thoshte shën Pali Apostull, mund të na ndajë nga dashuria e Hyjit, në Krishtin Jezus, Zotin tonë. Krishti ka besim tek ju e dëshiron që t’i realizoni ëndrrat tuaja me fisnike e më të larta për lumturinë e vërtetë.
E është përsëri shën Maria, Nëna e Krishtit, që merret si shembull nga Papa edhe për t’u treguar të rinjve se cila është dashuria e vërtetë, ku duhet të mbështesin jetën e të ardhmen e familjes së tyre. Duke parë Zojën e Bekuar, theksoi Benedikti XVI, zbulohet bukuria e dashurisë, por jo një dashuri sa për të thënë, kalimtare dhe e gënjeshtërt, peng i një mentaliteti egoist e materialist, por një dashuri e vërtetë dhe e thellë. Para vështirësive të kësaj bote për krijimin e familjeve e për ruajtjen e pastërtisë së tyre, Ati i Shenjtë uroi:
Qoftë e mundur për familjet e krishtera, me mbështetjen e Hirit hyjnor, t’i qëndrojnë besnike impenjimit solemn të dashurisë, të shqiptuar me gëzim para meshtarit dhe bashkësisë së krishterë, në ditën solemne të martesës.
Para rreziqeve me të cilat përballohet familja sot, Papa u kujtoi të rinjve fjalët e Engjëllit drejtuar shën Marisë: “Mos kini frikë! Shpirti i Shenjtë është me ju e nuk ju braktis kurrë”.
Benedikti XVI përmendi ata të rinj që kanë filluar rrugën drejt meshtarisë e duke u treguar të rinjve se përveç martesës ekziston edhe një rrugë tjetër për ata që dëgjojnë thirrjen e Zotit, u bëri homazh veprës së sa e sa meshtarëve e rregulltarëve e nëpërmjet kujtimit të at Xhankarlo Bosit, të rrëmbyer e më pas të liruar në Filipine, i cili u foli të rinjve për përvojën e tij, edhe sa e sa misionarëve që e shkrijnë jetën për ungjillëzimin e popujve. Të rinjve u tha:
Nëse Zoti ju thërret të jetoni më thellë shërbimin ndaj tij, përgjigjuni me bujari. Të jini të sigurtë: jeta që i kushtohet Zotit nuk shkon kot.
Me pyetjet e tyre, të rinjtë nxorrën në pah shqetësimet e dyshimet që kanë para sfidave të kohës së sotme. Dy të rinj nga periferia e Barit, duke dëshmuar përvojën e tyre, i shprehën Atit të Shenjtë shqetësimin për vetminë që ndjejnë. “A jemi të rëndësishëm për ndokënd?” – pyetën ata. “Si është e mundur të shpresojmë, kur realiteti na mohon çdo lloj ëndrre lumturie, çdo projekt jete?”
Papa, duke mos pranuar të lexonte përgjigjet e përgatitura, foli pa letër dhe u tha se i kuptonte fort mirë dhe vuri gishtin mbi plagët shoqërore që sjellin në këtë gjendje: shkatërrimi i familjes, i asaj familjeje të kuptuar jo vetëm si vend ku takohen brezat, por edhe si celulë ku mësohen vlerat e jetës e parimet e sjelljes në shoqëri. “Në periferi të jetë e pranishme Kisha” – kërkoi Ati i Shenjtë, me famulli të tilla që t’u bëjnë njerëzve të kuptojnë se për Zotin nuk ka periferi.
E përsa i përket dyshimeve të të rinjve për raportin e Kishës me ta, pasigurive, frikës që mbajnë brenda vetes para një bote që duket se jeton sikur Zoti nuk ekziston, Ati i Shenjtë u kujtoi të rinjve se pika e referimit është Krishti. Duke kujtuar letrat e Nënë Terezës, të cilat zbulojnë se edhe ajo, e Lume, e konsideruar shenjte që kur ishte gjallë, e ka përjetuar heshtjen e Zotit e vuante për këtë, Papa dha disa shembuj për t’u shpjeguar të rinjve se edhe Zoti i heshtur na flet, na zbulohet në një farë mënyre e ne nuk duhet të jemi shurdhë. T’i lutemi Zotit, tha Benedikti XVI, që të na ndihmojë ta kuptojmë praninë e Tij.
Të rëndësishme edhe fjalët që Ati i Shenjtë tha për marrëdhëniet e të rinjve me Kishën, mbi vështirësitë për të folur mbi Zotin me bashkëmoshatarët, duke u thënë se “Kisha nuk është qendër pushteti, apo një qendër gjërash të ndaluara”, duke ju larguar stereotipeve për të. Duke kujtuar përvojën e tij në qendrën për të droguarit, gjatë udhëtimit në Brazil, Papa u bëri thirrje të rinjve të qëndrojnë larg drogës, që e vret jetën.
Nesër, të rinjtë e presin Papën Benedikti XVI për Meshën Solemne në pllajën e Montorsit e më pas për Lutjen e Engjëllit të Tenzot, aktivitete për të cilat do t’ju informojmë gjerësisht në emisionin e së dielës.







All the contents on this site are copyrighted ©.