2007-08-31 17:23:18

Rubrika : “Me Nënë Terezën”: ‘Kushti i katërt i jetës rregulltare’ ,emisioni i 27-të


(31.8.2007 RV)RealAudioMP3 Në botën e krishterë ka një numër të madh kongregatash rregulltare femërore e mashkullore, që përveç tre kushteve tradicionale: atë të varfërisë, të pastërtisë e të dëgjesës, u shërbejnë edhe të varfërve.
Çfarë e dallon, atëherë Kongregatën e themeluar nga Nënë Tereza, prej instituteteve tjera rregulltare? Cili është kushti i katërt i motrave të bamirësisë? Pikërisht për ‘kushtin e katërt’ na flet Themeluesja e Kongregatës së Bamirësisë në emisionin 27-të të ciklit tonë radiofonik “Me Nënë Terezën”, bazuar tek libri ‘Jeta ime’.
“Jezuitët, përveç tre kushteve tradicionale: të varfërisë, të pastërtisë e të dëgjesës, bëjnë edhe një kusht të katërt: atë të nënshtrimit të plotë ndaj Atit të Shenjtë përsa u përket misioneve.
Edhe ne, që në fillesë të kongregatës sonë, bëmë kushtin e katërt: kushtin për t’u shërbyer me gjithë zemër e pa kurrfarë shpërblimi të varfërve më të varfër.
Kur filluam, propozova tre objektiva: mbi të gjitha, t’i qëndrojmë besnike thirrjes sonë; pastaj, të jetojmë në varfëri të plotë e së treti, ta lëshojmë veten plotësisht në dorë të Zotit.
Kushti i katërt na vë në shërbim të këtyre njerëzve të mrekullueshëm, që s’kanë asgjë e askënd: të sëmurëve, të atyre që japin shpirt, të gjymtuarve, të alkoolizuarve, të gërbulurve, të njerëzve me të meta mendore, të të gjithë atyre që kanë harruar ç’do të thotë dashuri njerëzore, ç’do të thotë ndjenjë njerëzore, ç’do të thotë buzëqeshje njerëzore.
Kushti i katërt është themelor për Kongregatën tonë.
Një specialist i drejtësisë kanonike më tha një ditë:
“Në se ndonjë ipeshkëv do të pretendonte të bënit ndjonjë punë, që nuk përkon me kushtin tuaj të katërt, mjafton t’i shkruani Kongregatës për Rregulltarët: ndryshimi nuk do të autorizohet”.
E në të vërtetë një herë ndodhi diçka e tillë. Një ipeshkëv u kërkoi motrave që të sëmurët, të cilët mjekoheshin në një nga dispanseritë tona, të paguanin diçka.
Nuk pranova.
I larguam motrat e dispanseria u mbyll.
Me që punojmë ndërmjet të varfërve, edhe ne duhet të jemi të varfëra.
Në se ata ankohen për ushqimin, mund t’u përgjigjemi:
“Edhe ne hamë njëlloj”.
Në se ankohen: “Sonte ishte vapë e madhe. Nuk kam mbyllur sy…’, mund t’u përgjigjemi:
“Po, vërtetë ishte shumë vapë!”.
Të varfërit i lajnë vetë rrobat e janë gjithnjë të zbathur.
Ne bëjmë të njëjtën gjë.
Duhet të ulemi tek ata, për t’i lartuar.
Na e hapin zemrën, kur mund të pohojmë se jetojmë si ata.
Nganjëherë s’kanë tjetër,veçse një kovë ujë.
Ne gjithashtu.
Ushqimi ynë, veshja, gjithçka duhet të jetë si e të varfërve.
Ne duhet të agjërojmë
Të agjërosh për ne do të thotë të hamë si të varfërit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.