2007-08-31 18:30:15

Ban Ki-Mun: Paqja izraelito-palestineze, zgjidhje e negociuar


(31.08.2007 RV)“Inkurajoj sërish të dyja palët që të tregojnë një impenjim të sinqertë për arritjen e paqes nëpërmjet një zgjidhjeje të negociuar mes dy shteteve”: kështu shkruan sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Mun në mesazhin për Konferencën ndërkombëtare të shoqërisë civile në mbështetje të paqes izraelito-palestineze, e cila përfundoi sot në Bruksel në selinë e Parlamentit Evropian. Në takim, morën pjesë parlamentarë dhe eksponentë të organizatave joqeveritare e të atyre ndërkombëtare. Presidenti palestinez Abu Mazen dërgoi edhe ai, një mesazh për Konferencën, në të cilin vihet re qartë se qëndrimi palestinez mbetet larg nga ai izraelit. “Konferenca e paqes organizuar në nëntor nga presidenti i SHBA-ve, Bush – uron Abu Mazen – t’i mundësojë popullit palestinez ushtrimin e së drejtës për vetëvendosje e për krijimin e një shteti të pavarur me Jeruzalemin si kryeqytet”. Ndërkaq, në terren, një komandant i Brigadave të Martirëve të Al Aksait, krahu i armatosur i Al-Fatahut, i bëri thirrje popullsisë izraelite të Sderotit të largohet nga shtëpitë për t’u mbrojtur nga sulmet e mundshme. Në Gazë, mijëra manifestues protestuan kundër Hamasit.







All the contents on this site are copyrighted ©.