2007-08-30 18:48:09

Rubrika : “Me Nënë Terezën”, ‘Jezusi në të varfërin’ emisioni i 26-të


(30.8.2007 RV)RealAudioMP3 Dëgjues të nderuar ja përsëri në takimin tonë të përditshëm radiofonik me të Lumen Nënë Terezën, Gonxhe Bojaxhiun. Së bashku po vijojmë pra të njihemi sa më mirë e nga afër me jetën e veprën e Misionares së Dashurisë, Engjëllit të të varfërve, Lapsit të Zotit.
“Me emocion të posaçëm e përkujtojmë sot figurën e pavdekshme të Nënë Terezës, shërbëtoren e madhe të të varfëve, të Kishës e të Botës mbarë. Jeta e saj është një dëshmi e jashtëzakonshme e dinjitetit e privilegjit të shërbimit të përvujt. Ajo pati zgjedhur jo vetëm të ishte më e vogla, por shërbëtorja e më të vegjëlve”: me këto fjalë të shqiptuara më 19 tetor të vitit 2003 në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, dëgjues të nderuar – Papa Gjon Pali II e shpalli të Lume Nënë Terezën, Gonxhe Bojaxhiun.
Ende sot, shembulli i shkëlqyer i shërbimit të saj bamirës është burim frymëzimi për familjen e saj shpirtërore rregulltare, për atdheun e saj, për Kishën e njerëzimin mbarë. Duartë e saj u bënë duartë e vetë Zotit e ajo, simbol i dukshëm i dashurisë së Tij Hyjnore mbi tokë. Mbi krahët e saj mori barrën e stër rëndë të të gjithë të varfërve të botës, duke e ditur se kështu kënaqte Zotin e vet. Ky ështè thelbi i përshpirtërisë së, që i ka themet në dashurinë e pakufishme të Atit Qiellor për të varfërit e të braktisurit, e cila gjen shprehjen më të lartë në misterin e Kryqit e të ngjalljes së Krishtit. E kjo është edhe forca e vërtetë mistike e mësimit që na la trashëgim Nënë Tereza, sikur pohon vetë ajo në librin ‘Jeta ime’.
Jezusi në të varfërin
Një ditë, në Këmbrixh të Anglisë, universiteti më dha diplomën ‘honoris causa’ në teologji, pa pasur kurrfarë merite.
Ceremoninë e kryesonte princi Filip i Edimburgut, rektor i këtij universiteti.
Pasi përfundoi ceremonia, një gazetar më pyeti:
‘Ç’ju shtyu ta filloni veprën tuaj, ç’ju frymëzoi e ç’ju jep zemër ta vijoni?
Ndoshta priste t’i jepja një përgjigje të gjatë. E pashë se mbeti i pakënaqur, kur iu përgjigja me një fjalë të vetme:
“Jezusi!”.
E është e vërtetë: ne bëjmë gjithçka, në çdo çast, vetëm për Jezusin.
Gjithçka bëjmë, e bëjmë për Jezusin, me Jezusin, për shkak të Jezusit.
Jeta jonë drejtohet plotësisht nga Jezusi e nga shërbimi i tij.
Prandaj them se e bëjmë gjithçka për Jezusin.
E e bëjmë me Jezusin, sepse ai na jep forcën, ngushëllimin, lumturinë të punojmë për të. Ai na shoqëron në çdo nismë, na prin e na mëson.
Unë nuk shikoj para meje të varfërin, por Jezusin që vuan në të.
Jezusin që tha: “Pata uri e më dhatë të ha. Pata etje, isha i zhveshur, pa çati, i braktisur nga të gjithë… Atë që e bëni për këta të vegjël, ma keni bërë mua”.
Askush nuk mund të dashurojë me gjithë zemër dy njerëz njëherësh. Po mund t’i dashurojë të gjithë njerëzit, duke dashur Jezusin, që është një i vetëm, në të gjithë njerëzit.
Prandaj duhet përqendruar zemër e mendje, jetë e veprimtari në Jezusin, duke e parë në çdo njeri që vuan.








All the contents on this site are copyrighted ©.