2007-08-29 18:23:17

Në Afganistan u liruan 12 nga 19 pengjet koranojugore e lajme të tjera


(29.08.2007 RV)Në Afganistan u liruan sot 12 nga 19 pengjet koranojugore në duart e talebanëve. Vullnetarët evangjelistë të Koresë së Jugut iu dorëzuar një kreu fisnor të provincës së Gaznit, i ngarkuar për këtë qëllim nga Komiteti ndërkombëtar i Kryqit të Kuq. Po ipeshkvijtë vënë në dukje një aspekt të errët të krejt negociatave. Imzot Lazër Ju Heung-sik, ipeshkëv i Daezhonit dhe presidenti i Karitasit sqaron për agjensinë katolike Asianews se kishat protestante gjenden në mesin e kritikave të ashpra nga ana e shoqërisë koreanojugore. Gjithashtu, prelati e përkufizon si “precedent të rrezikshëm” faktin që qeveria e Seulit ka hyrë në bisedime të drejtpërdrejta me fondamentalistët islamikë.
Ndërkaq, në terren, mbi 100 talebanë kanë mbetur të vrarë në luftime me forcat e koalicionit në provincën e Kandaharit. Sulmi është filluar nga talebanët.

Virusi i gripit të pulave ka ndryshuar në mënyrë cilësore, aq sa ta kalojë infeksionin nga njeriu në njeri. Kjo del nga një studim amerikan, që ka marrë në shqyrtim viruse të vitit 2006. Fakti që mundësia për t’u infektuar nga virusi duke qëndruar pranë njerëzve të sëmurë nga gripi i pulave, nuk ka shkaktuar një pandemi botërore mund të ketë dy arësye, sipas ekspertëve. Së pari, ndryshimi i virusit ka qenë i tillë, sa ai është ndalur në kalimin e parë, ose virusi i ndryshuar ka vdekur sëbashku me njeriun që ka infektuar, pa arritur të përhapet më tej. Gjithsesi, shkencëtarët e mbajnë vazhdimisht nën vëzhgim virusin e pulave.

4 milion e 200 mijë irakianë janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre për të gjetur strehë diku tjetër, që nga fillimi i ndërhyrjes anglo-amerikane në Irak, Sipas Komisariatit të Lartë të OKB-së për Refugjatët, çdo muaj 60 mijë vetë braktisin fshatrat ku jetojnë. Vendet kryesore ku këta njerëz shkojnë janë ato fqinje, si Siria dhe Jordania.
Ndërkaq, në terren, pas ndeshjeve të djeshme në Qerbela, ku humbën jetën 52 vetë, në qytet është shpallur shtetrrethimi. Milicët e Moktada Al Sadrit janë ndeshur me policinë. Ndërsa sot, pikërisht Al Sadri ka urdhëruar të pezullohen aktivitetet e milicëve të ushtrisë Mahdi për gjashtë muaj, për ta riorganizuar e për të ruajtur imazhin e saj ideologjik.

Asnjë impenjim konkret nuk është nënshkruar dje në Jeruzalem, në takimin ndërmjet kryeministrit izraelit Olmert dhe presidentit palestinez Abu Mazen. Në qendër të bisedimeve, çështja e refugjatëve palestinezë dhe statusi i Jeruzalemit, në prag të Konferencës ndërkombëtare, që do të mbahet në nëntor.

Vazhdon emergjenca nga zjarret në Evropë. Janë akoma jashtë kontrollit, por po u bie intensiteti, zjarreve në gadishullin grek të Peloponezit e në ishullin e madh Evia, në verilindje të Athinës. Presidenti Papulias e ka përkufizuar gjendjen si “katastrofë kombëtare” e opozita socialiste e Pasokut e ka akuzuar qeverinë e kryeministrit Karamanlis, si jo kompetente në zgjidhjen e krizës. Edhe në Itali sinjalizohen zjarre të reja. Vetëm gjatë ditës së djeshme, në të gjithë vendin, por sidomos në Kampania dhe në Kalabri, ishin aktive 264 vatra zjarri.







All the contents on this site are copyrighted ©.