2007-08-29 18:40:56

Më 29 gusht kalendari Kishtar përkujton festën e martirizmit të Shën Gjon Pagëzuesit.


(29.8.2007 RV)RealAudioMP3 Gjoni e vulosi misionin e tij prej Pararendësi të Krishtit me martirizim. Mbreti Herod Antipa e burgosi në kshtjellen e Makerontit në Lindje të Detit të Vdekur dhe urdhëroi ti prehej koka (Mk 6,17-29).Shën Gjon pagëzuesi është miku që ngazëllohet kur dëgjon zërin e dhëndërrit e kënaqet para Krishtit, diellit të drejtësisë. “Tani gëzimi është plotësuar, Jezusi duhet të rritet e unë të zvogëlohem”, tha shën Gjoni për Mesinë.
Ishte viti 28 para Krishtit. Që prej 15 vjetësh në fronin e Romës sundonte Tiberi perandor. Sipas Shën Lukës ungjilltar, pikërisht në këtë kohë, nga stepat e Judesë, gjatë rrjedhës së lumit Jordan, u ngrit një zë i fuqishëm e i qartë: zëri i Gjon Pagëzuesit. Me Gjonin njihemi për herë të parë në ungjillin e Lukës, i cili tregon sesi Kryengjëlli Gabriel e paralajmëroi babain e Gjonit, Zakarinë, një mbrëmje ndërsa po shërbente në tempull, se do t’i lindte një djalë.
Ungjilltarët e paraqesin Gjonin përmes përshkrimit të misionit të lavdishëm, që arrin kulmin me martirizimin e tij, në atmosferën e një feste të shthurur në pallatin e Herodit. Por skena kryesore, që na propozon liturgjia për Shën Gjon Pagëzuesin, përmes Ungjillit sipas Mateut, është ajo në të cilën vetë Krishti e larton Gjonin me shprehjen: “Përnjëmend po ju them: ndër ata që u lindën prej gruaje, nuk u ngrit asnjë më i madh se Gjon Pagëzuesi”.
Nga ana tjetër ndër Ungjijtë vërehet njëfarë ngurrimi kur flitet për Gjonin, duke pasur parasysh se nxënësit e tij nuk donin të largoheshin prej mësuesit të tyre për të ndjekur Jezusin, ndërsa vetë Gjoni kishte pohuar se qe i padenjë edhe për t’i zgjidhur lidhësat e sandaleve të Mesisë. E kjo sepse, siç pohon në Ungjillin e tij Shën Gjoni Ungjilltar duke përdorur simbolet e dhëndrrit, të nuses e të mikut të dhëndrrit, “Gjon Pagëzuesi nuk ishte drita, por duhet të bënte dëshmi për dritën”. Madje vë në gojën e Paraardhësit këto fjalë: “Unë nuk jam Krishti (Mesia) por jam i dërguari para tij. Kush ka nusen, është dhëndërr. Dashamiri i dhëndrrit, i rri pranë e e dëgjon zërin e dhëndrrit. I tillë është, pra gëzimi im: arriti në kulm! Ai duhet të rritet e unë të zvogëlohem!” Shën Gjon Pagëzuesi është padyshim profeti i fundit i Besëlidhjes së Vjetër, i rrethuar me aureolën e lumnisë ( së bashku me Virgjërën Mari, është i vetmi shenjt të cilit, sipas kalendarit liturgjik, i kremtohet jo vetëm vdekja, por edhe linjda), por ai mbetet gjithnjë vetëm një gisht tregues i drejtuar nga Krishti, që është qëndra e vërtetë e historisë së shëlbimit. Prandaj në poliptikun e elterit të Izenhaimit, që ruhet në muzeun e qytetit alsasian të Kolmarit, piktori Matia Grynevald që e pikturoi veprën ndërmjet viteve 1512 e 1516 e ka vendosur Shën Gjonin tek këmbët e të Kryqëzuarit me gishtin tregues të lartuar drejt Krishtit, i vetmi që duhet të “rritet” në fenë e në adhurimin e nxënësve të vet.







All the contents on this site are copyrighted ©.