2007-08-29 18:22:43

Hapat që vendosin sa laik është Gyl, presidenti i ri turk


(29.08.2007 RV)RealAudioMP3 “Do të mbroj të gjitha parimet e Kushtetutës, duke përfshirë edhe laicitetin, rregull e nevojshme për paqen shoqërore”: këto ishin fjalët e para të presidentit të ri të Turqisë, Abdullah Gyl, i cili u zgjodh dje në votimin e tretë në parlament, vetëm me votat e partisë së tij AKP. Forcat e armatosura, gjithnjë garante të laicitetit turk, nuk morën pjesë në betimin e presidentit dhe njoftuan se do të kontrollojnë që qendrat e së keqes të mos dobësojnë strukturat shoqërore e shekullore të Republikës së Turqisë. Gyl u përshendet nga forcat palestineze të Hamasit, për të cilat fitorja e tij është shenjë e kthesës drejt Islamit që po merr krejt rajoni. Në këto kushte, çfarë garancish mund të japë Gyl për ruajtjen e mbrotjen e laicitetit të shtetit? Të dëgjojmë komentin e Antonio Ferrarit, i dërguar i gazetës italiane “Corriere della Sera”:
Nëse mendojmë për garancitë me fjalë, për atë ç’ka thotë Gyl, atëherë mund të rrimë të qetë. Por përveç fjalëve, duhen marrë parasysh edhe sjelljet e veprimtaria e përditshme. Së pari, kemi një hap të karakterit formal: qëndrimi që do të mbajë në paraqitjen me ferexhe ose pa ferexhe të gruas së vet në pallatin e presidentit të Republikës, ku, ashtu si në të gjitha ndërtesat publike, nuk lejohet përdorimi i ferexhesë. Më pas kemi një aspekt më thelbësor. Duhet parë si do të sillet Gyl kur qeveria do të përpiqet të miratojë një seri ligjesh që në legjislacionin e mëparshëm u bllokuan nga presidenti i atëhershëm i Republikës, laiku Sezer.







All the contents on this site are copyrighted ©.