2007-08-28 20:24:39

Nënë Tereza dhe "nata e errët e shpirtit"


(28.08.2007 RV)RealAudioMP3 Në shtator do të publikohen letrat në të cilat Nënë Tereza përshkruan natën e errët të shpirtit, thatësirën shpirtërore që ka pasur kur nuk ka gjetur përgjigje për pyetjet e saj drejtuar Zotit, periudhën e dyshimeve e njëkohësisht të shpresës për të dalë nga humnera, ku ato dyshime fusin. Libri titullohet “Nënë Tereza: eja e bëhu drita ime”. Për publikimin e tij është kujdesur postulatori i kauzës së shenjtërimit të së Lumes, atë Brajën Kolodiejçuk. Po ç’është kjo “natë e errët e shpirtit” që ka përjetuar Misionarja e bamirësisë? Pyetëm predikatarin e Shtëpisë Papnore, atë Raniero Kantalamesa:
Është diçka shumë e njohur në traditën e krishterë; ndoshta e re dhe e padëgjuar në formën që e ka pasur Nënë Tereza. Sepse ndërsa “nata e errët e shpirtit” për shën Gjonin e Kryqit është një periudhë në përgjithësi përgatitore drejt asaj përfundimtare që quhet periudhë “bashkimi”, për Nënë Terezën duket se kjo ka qenë një gjendje e qëndrueshme, që nga një moment i caktuar i jetës, kur ka filluar këtë vepër të madhe bamirësie, deri në fund. Sipas mendimit tim, edhe ky fakti i zgjatjes së kësaj “nate” ka një domethënie për ne, sot. Unë besoj se Nënë Tereza është një shenjte e epokës mediatike, sepse kjo “natë e shpirtit” e ka mbrojtur nga media, mund të bëhej një viktimë e saj duke u ekzaltuar prej saj… Në fakt, ajo vetë thoshte se para ndereve dhe shkëlqimeve të mëdha të shtypit, ajo nuk ndjente asgjë, pasi përjetonte këtë boshllëk të brendshëm. Pra ishte një lloj… “tute amianti”, për të përshkuar epokën e mediave.
Lexojmë një pjesë nga letra e saj: “Ka shumë kontradikta brenda shpirtit tim, një lidhje e thellë me Zotin, kaq e thellë sa ndihem keq; një vuajtje e vazhdueshme, e me të edhe ndjenja se nuk duhem nga Zoti, se jam e refuzuar, bosh, pa fe, pa dashuri, pa vullnet… Qielli – pohon Nënë Tereza – nuk do të thotë asgjë për mua: më duket një vend bosh!”…
Shikoni, pikërisht në këtë vuajtje të thekshme, që i jepte mungesa e Zotit, është shenja se kemi të bëjmë me një fenomen pozitiv. Kemi të bëjmë me një prani në mungesë: Zoti është i pranishëm, por nuk e prekim me dorë. Fakti që Nënë Tereza mund të qëndronte edhe me orë para Hostes së Shenjtë, siç thonë dëshmitarët që e kanë parë, gati e përhumbur… nëse mendojmë se në ç’kushte ajo qëndronte atje, ai është gati martirizim! Ai është martirizimi i vërtetë, sepse për atë që nuk e ndjen Zotin dhe ndjen atë boshllëk, të qëndrojë pa lëvizur para të Shenjtërueshmit do të thotë të qëndrojë me të vërtetë në mes të flakëve. E është e çuditshme që ndokush habitet me këto shkrime të Nënë Terezës e madje nuk është i kënaqur që po botohen, sepse njerëzit mund të skandalizohen… Për mua, kjo e rrit figurën e Nënë Terezës, nuk e zvogëlon. Ateistëve “normalë”, të zakonshëm, nuk u dhemb shpirti për mungesën e Zotit; për Nënë Terezën kjo ishte sprova më e tmerrshme që mund të jetonte. Unë besoj se Nënë Tereza është me të vërtetë një nga figurat “më të mëdha” të shenjtërve të krishterë, edhe për hir të aftësisë për t’i fshehur këto fenomene, për t’i jetuar personalisht në intimitetin e zemrës së vet! Ndoshta pikërisht për shëlbim të këtij ateizmi që ekziston në botën e sotme, sepse në fund të fundit Nënë Tereza e ka jetuar pozitivisht, me fe, nga ana e Zotit, edhe përjetimin e saj sikur Zoti të mos ekzistonte…
Publikimi i këtyre letrave – siç thatë ju atë Kantalamesa – mund t’i skandalizojë besimtarët?
Unë besoj se me një minimum komenti, duke dhënë disa koordinata të pakta për vendin ku mund të përfshihet ky fenomen, unë besoj se kjo do të prodhojë një të mirë pa fund.
“Netët e errta të Shenjtërve” ç’mund t’u përçojnë atyre që jetojnë pa fe?
Besoj se duhet bërë një dallim: ata që jetojnë pa fe, por nuk krenohen me këtë, nuk e shpallin në të katër anët, nuk e konsiderojnë si një titull superioriteti, por e jetojnë me vuajtje. Mendoj për shembull për shumë “ateistë” – disa të konvertuar e disa jo – si Kamy, si Samuel Beket – këtyre, libri u tregon se mjafton një hap, një hap i vetëm për të kaluar nga bregu i asgjësë tek bregu i gjithçkasë. Sepse për Nënë Terezën, kjo “natë e errët e shpirtit” bashkëjetonte çuditërisht me një paqe e lumturi që ajo vetë thotë se nuk do ta ndërronte me asgjë tjetër në botë, ashtu siç do të vepronte çdo mistik. Pra, është një thirrje drejtuar ateistëve të ndershëm për ta kthyer gjendjen e boshllëkut në të cilën ndodhen, në kërkimin e kuptimit të jetës, është një trampolinë drejt dritës…
 







All the contents on this site are copyrighted ©.